Gazeta e përditshme sllovene Delo, shkruan se incidenti me tren i cili nga Beogradi po shkonte në Mitrovicë, tregoi se sa e brishtë është paqja dhe stabiliteti në Ballkan.
Aty thuhet gjithashtu se paqja në Evropë është rezultat i kompromiseve të dhimbshme.
Gazeta, megjithatë, vlerëson se retorika ushtarake e Kosovës dhe Serbisë, lidhur me çështjen e trenit, ishte një shfaqje teatrale dhe se, “edhe pse është një konflikt i ngrirë”, “dhuna në mes të dy shteteve nuk është e mundshme”.
“Nëse Bashkimi Evropian (BE), vazhdon të vdesë në etapa, shpërbërja e tij nuk do të fillojë në qendrat e pushtetit, por në periferi të saj”, shkruan Delo, duke shtuar se Brukseli duhet që me kohë të reagojë për të qetësuar pasionet, në mënyrë që më pas të mos pyesë se si ai erdhi deri te një krizë e tillë të rrezikshme.
Fakti është se, shkruan gazeta, Serbia do të vazhdojë të përpiqet që të kthejë Kosovën në kufijtë e saj, pavarësisht shpalljes së pavarësisë, pranisë së misioneve paqeruajtëse të aleancës së NATO-s dhe BE-së, si dhe injeksioneve financiare që arrijnë në miliarda euro. /GazetaExpress/