Aktuale

Deliu i reagon Vetëvendosjes për thirrjen që bashkatdhetarët mos ta votojnë Merkelin

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka reaguar ndaj thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje që bashkatdhetarët të mos e votojnë Angela Merkelin në Gjermani.

Deliu i ka quajtur anëtarët e Vetëvendosjes, arrogantë.

Ajo ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për orientime majtiste, e aq më pak Vetëvendosje si e majtë ekstreme, përcjellë Indeksonline.

Ky është reagimi i plotë i Deliut:

Arroganca e VV nuk paska kufij!

Thirrja që kjo parti u’a ka bërë bashkëatdhetarëve në Gjermani që të votojnë partitë majtiste e jo partinë e kancelares Angela Merkel, CDU, është treguesi më i mirë i radhës i VV-së se në çfarë drejtimi do ta dërgonin Kosovën nëse ndonjëherë vijnë në pushtet.

Kosovës nuk i duhen orientimet majtiste e asesi ato majtiste ekstreme siç është VV-ja. Kosova e ka provuar socializmin dhe komunizmin dhe jemi dëshmitarë të përjetimeve të tmerrshme të asaj kohe. Kosovës i duhet punë e madhe, zhvillimi i sektorit privat që është çelës i zhdukjes së krimit dhe korrupcionit, zhvillimit ekonomik dhe zhdukjes së papunësisë. �Kancelarja Merkel e ka ndihmuar shumë Kosovën dhe po i bën presion të madh Vuçiçit për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, thirrja e VV për të votuar majtistët e jo kristiandemokratët e Merkel është mjaft e dëmshme për zhvillimet e ardhshme në Republikën tonë.

Bashkëatdhetarëve u bëj thirrje që votojnë me bindjen e tyre dhe mos të ndikohen nga thirrja e partisë Vetvendosje, pasi që janë ata që jetojnë në Gjermani dhe që e dinë më së miri kë duhet ta votojnë.