Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, i cili mban edhe postin e kryetarit të Prishtinës, ka marrë shkas nga deklaratat e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, rreth bisedimeve me Serbinë për të shprehur gatishmërinë që ky subjekt t’i bashkëngjitet dialogut. Delawie gjatë një interviste ka lënë të hapur mundësinë që në këto bisedime të flitet edhe për ndarjen e Kosovës, e kjo sipas Shpend Ahmetit është ndryshim fondamental i pozicionit amerikan dhe një situatë e rrezikshme, prandaj, sipas tij, partitë duhet t’i lënë inatet dhe të përfshihen në dialog.
Shpend Ahmeti, kryetari i Partisë Socialdemokrate, e cila muaj më parë u shkëput nga Lëvizja Vetëvendosje, ka dhënë alarmin. Ai po i sheh me rrezik të madh deklaratat jo të prera të Delawie-s se çfarë do të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi.
Delawie nuk ka pranuar gjatë një interviste mbrëmë të thotë nëse ndarja ose shkëmbimi i territoreve do të jetë në tryezën e bisedimeve. Zakonisht zyrtarë të SHBA-së në prononcimet e tyre thonë se Uashingtoni respekton tërësinë territoriale të Kosovës dhe se nuk ka ndarje.
E mospozicionimi i qartë i diplomatit numër një amerikan në Prishtinë, i ka mjaftuar Ahmetit që të tregohet i gatshëm për bisedime.
Madje, Ahmeti është shfaqur mjaft alarmues, sikur të ishte vetë Hashim Thaçi, duke thënë se ky është një qëndrim i ri amerikan dhe i rrezikshëm.
“Sipas ambasadorit Delawie (Rubikon) çdo gjë në dialog është e diskutueshme, pra edhe ndarja edhe shkëmbimi edhe çdo opsion tjetër. Ky është ndryshim fondamental i qëndrimit amerikan”, ka shkruar Ahmeti.
Kreu i PSD-së ka sinjalizuar në këtë mënyrë përfshirjen në bisedime, duke kërkuar edhe nga partitë tjera opozitare që ta bëjnë të njëjtën.
“Kosova po hyn në fazë të rrezikshme dhe tash më shumë se kurrë nevojitet ndërhyrja e Kuvendit dhe udhëheqja e dialogut nga Kuvendi. Thirrje posaçërisht subjekteve opozitare të largohen nga inatet dhe të bashkohen për ta kontrolluar këtë proces. Në qoftë se të tjerët nuk kanë vija të kuqe, ne duhet t’i caktojmë ato, si për ekipin ashtu edhe për platformën dhe dialogun”, ka shkruar Ahmeti.