Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se qytetarët kanë përgjegjësi për të punuar drejt një procesi zgjedhor pa mashtrime për të siguruar legjitimitetin e demokracisë përfaqësuese të Kosovës.
Ai këto komente i bëri të premten në tryezën “Drejtësia në zgjedhjet e 11 qershorit”, organizuar nga Instituti Demokracia për Zhvillim në bashkëpunim me Demokracinë në Veprim, në të cilën morën pjesë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, prokuroria, policia, Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë.
Diplomati amerikan bëri të ditur se Ambasada e SHBA në Kosovë do të ketë 40 ekipe që do të vëzhgojnë jo vetëm gjatë kohës së votimit, por edhe gjatë numërimit të votave.
Delawie: Çdo votë ka rëndësi
Video
“Në SHBA kemi një thënie, çdo votë ka rëndësi, ka peshë dhe kjo është natyrisht e vërtetë edhe këtu në Kosovë, kjo do të thotë që qytetarët kanë përgjegjësi për të punuar drejt një procesi zgjedhor pa mashtrime, për të siguruar legjitimitetin e demokracisë përfaqësuese të Kosovës”, tha ambasadori Delawie.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se KQZ i ka marrë të gjitha masat e nevojshme që ditën e zgjedhjeve të mos ketë manipulime dhe të mos ketë pengesa në mbarëvajtjen e tyre.
Daka: KQZ ka marrë të gjitha masat e nevojshme
Video
“Unë ju siguroj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe të gjitha ato që na mundëson ligji që ditën e zgjedhjeve të mos kemi manipulime dhe të mos kemi pengesa në mbarëvajtjen të zgjedhjeve. Për të siguruar një proces sa më të drejtë dhe të rregullt kemi marrë edhe disa risi në këto zgjedhje dhe ajo është skanimi dhe publikimi i FPR-ve dhe FKR-ve në ueb faqen e KQZ-së dhe pajisja e subjekteve politike me cd, të cilat i përmbajnë skanimet e këtyre formularëve. Një çështje tjetër është se ne i kemi dhënë mundësi aplikimit online për ndërrimin e qendrave të vendvotimeve dhe periudha e shërbimeve të votuesve ka filluar që nga 20 maji dhe ka përfunduar deri më 28 maj të këtij viti”, tha Daka.
Ajo bëri të ditur se KQZ ka akredituar 25 mijë vëzhgues dhe shpreson që në ditën e zgjedhjeve këta vëzhgues të jenë vigjilent dhe të kryejnë detyrën e tyre.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Zyra e kryeprokurorit të shtetit, Laura Pula, tha se sistemi prokurorial është angazhuar me seriozitetin më të madh që të bëjnë mbrojtjen e votës së qytetarëve.
Pula: Sistemi prokurorial është angazhuar me seriozitetin më të madh
Video
“Sistemi prokurorial është angazhuar me seriozitetin më të madh, në avancim edhe më të madh të bëjmë mbrojtjen e votës së qytetarëve. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se inkuadrimi i rolit të prokurorit të shtetit në këto zgjedhje në kuadër të këtij memorandumi ka të vetmin qëllim, mbrojtjen e votës së qytetarit dhe ndëshkimin e personave të cilët në çfarë do mënyre tentojnë të manipulojnë votën e lirë të qytetarëve dhe të prishin procesin zgjedhor”, tha Pula.
Ajo tha se është realizuar plani i veprimit të brendshëm, ku janë angazhuar prokurorë të mjaftueshëm për të gjitha komunat.
Ndërsa, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i operacioneve në Policinë e Kosovës, Naim Rexha, tha se ky institucion ka filluar të gjitha përgatitjet për të ofruar siguri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Rexha: PK ka filluar përgatitjet me ofrimin e sigurisë në procesin e zgjedhjeve
Video
“Me të shpallur zgjedhjet parlamentare Policia e Kosovës, përpos angazhimeve të përditshme të saja ka filluar përgatitjet shumë serioze dhe specifike në raport me mandatin që ka lidhur me ofrimin e sigurisë për procesin e udhëhequr nga KQZ. Për ta realizuar detyrën e vet menjëherë Policia e Kosovës i ka filluar kontaktet me nënshkruesit e memorandumit të bashkëpunimit në kuadër të të gjitha institucioneve të tjera me pjesët e përgjegjësisë së vet lidhur me procesin zgjedhor, siç dhe e ka rishikuar dhe korrigjuar bashkërisht me Prokurorin e shtetit”, tha Rexha.
Ai bëri të ditur se Policia e Kosovës ka bërë sigurimin e 963 tubime publike të subjekteve politike. Sipas tij, Policia e Kosovës vlerëson se ka pasur një fushatë në përgjithësi shumë të qetë.
Shpend Emini, drejtor Ekzekutiv i Institutit Demokraci për Zhvillim, tha se drejtësia në zgjedhje është një faktor i rëndësishëm në procesin zgjedhor për të siguruar të drejtën e votës si të drejtë themelore, e cilat duhet të ushtrohet në mënyrë të lirë dhe pa pengesë.
Ai tha se një vend demokratik duhet të sigurojë mundësinë që qytetarët e tij të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve që janë të lira, të drejta dhe të ndershme.
Ndryshe, me përkrahjen e Institutit D4D është nënshkruar marrëveshje mes institucioneve relevante mbi procesin zgjedhor. Kjo marrëveshje ka bërë bashkë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, prokurorinë, policinë, Komisionin Qendror Zgjedhor dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe zbatimit të procedurave për shkelësit e Ligjit mbi zgjedhjet dhe sigurimit të votës së lirë. /kp