Aktuale

Dekriminalizimi, Kuvendi: Asnjë subjekt me rekorde gjyqësore

Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit informoi sot se asnjë nga subjektet e verifikimit nuk ka rekorde të gjendjes gjyqësore në vend, pra rezultojnë të gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare.

Sipas një informacioni të publikuar nga parlamenti, bazuar në ligjin për dekriminalizimin, kryetari i Kuvendit, në cilësinë e organit përgjegjës, ka vijuar me fazën tjetër pas publikimit të formularëve, duke kërkuar informacion nga Zyra e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore për të gjithë funksionarët që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë Kryetarit të Kuvendit.

Nga përgjigjja e kësaj Drejtorie, rezulton se asnjë nga subjektet e verifikimit nuk ka rekorde të gjendjes gjyqësore në vend, pra rezultojnë të gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare, citohet informacioni zyrtar. Po ashtu, pas verifikimit nga struktura e posaçme e ngritur në Kuvend, asnjë nga zyrtarët nuk ka deklaruar të jetë i dënuar nga gjykatat shqiptare, përveç rasteve të dënimit politik në kohën e diktaturës, që nuk janë pjesë e këtij ligji.

Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC), është përgjigjur dhe për verifikimin e përbërësve të të dhënave të Rregjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile të vitit 2010, për të gjithë listën emërore të funksionarëve publikë, subjekt i këtij ligji pranë Kryetarit të Kuvendit.

Nga struktura e posaçme e Kuvendit, janë verifikuar emrat nominalë të zyrtarëve të cilët kanë deklaruar ose jo ndryshime të përbërësve të gjendjes civile.

Nga ky kontroll i strukturës, rezulton se shumë emra i referohen ndryshimeve të mbiemrit pas martesës apo dhe ndryshimit të mbiemrit si rrjedhojë e dekretit të Presidentit për marrje shtetësie, si dhe korrigjimeve për shkak të gabimit material nga zyrat e gjëndjes civile. Këto ndryshime janë të përputhura edhe me regjistrin e gjendjes civile të verifikuar nga zyra përkatëse e gjendjes civile.

Nga verifikimi i strukturës së posaçme, e krahasuar me të dhënat e zyrës së gjendjes civile, na rezulton se disa zyrtarë që kanë vetëdeklaruar ndryshime të emrit apo mbiemrit në kohë të ndryshme më të hershme , nuk rezultojnë me ndryshime të tilla në Regjistrin aktual referues të vitit 2010. Siç dhe arsyetohet në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, konsultimi i plotë i këtyre të dhënave vijon në zyrat përkatëse të gjendjes civile ku ato figurojnë të regjistruar, thuhet në informacionin e Kuvendit.