Aktuale

Deklarata pro-izraelite e Hashim Thaçit bën bujë në Izrael

Mediumi i njohur nga Izraeli, The Times of Israel ka cituar sot fjalët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku thoshte se Kosova do të votonte pro njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, nëse do të ishte anëtare e Kombeve të Bashkuara.

The Times of Israel thekson faktin se Kosova është një shtet me shumicë myslimane, shkruan Insajderi

“Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se vendi i tij me shumicë muslimane do të votonte me Shtetet e Bashkuara kundër rezolutës së Kombeve të Bashkuara që dënonte njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit nga SHBA-të”, shkroi sot The Times of Israel.

Thaçi tha se nëse Kosova do të ishte anëtare e Kombeve të Bashkuara, do të votonte me Shtetet e Bashkuara “gjatë gjithë kohës” duke përfshirë votën pro njohjes së Jeruzalemit si kryqytet të Izraelit.

Asambleja e Përgjithshme e OKB miratoi një rezolutë që dënonte njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit nga administrata e Presidentit Trump. Vetëm 8 vende votuan pro Shteteve të Bashkuara dhe 53 shtete të tjera votuan kundër.

“Kosovarët janë me shumicë dërrmuese pro-amerikane”, shkruan gazeta izraelite The Times of Israel. “Administrata e Klintonit udhëhoqi fushatën e NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë dhe administrata e George W. Bush e njohu Kosovën kur shpalli pavarësinë në vitin 2008”.

Deri më tani, mbi 100 vende kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ata që nuk e kanë njohur – mes tyre edhe Izraeli – kanë frikë se do të vendoset një precedent për shpalljet e njëanshme të pavarësive, ashtu siç bëri Kosova. /Insajderi.com