Aktuale

Degradimi i gazetarisë nga mediet fantome (Video)

?????

Pluralizmi medial është një e mirë që i ka ndodhur Kosovës viteve të fundit dhe mediet online kanë ndikuar në këtë pluralizëm, mirëpo shumë nga këto medie kanë ndikuar në degradimin e gazetarisë.

Kjo për faktin se nuk dihet saktësisht se kush qëndron pas portaleve fantome në vend, të cilat më së shumti e shkelin të drejtën autoriale. Kështu u tha të enjten në tryezën e organizuar nga OSBE-ja me titull “Llogaridhënia e medieve online në Kosovë”, ku u potencua se në Kosovë funksionojnë rreth 300 portale, përderisa vetëm 20 prej tyre janë të regjistruara si biznese.

Nga kjo mënyrë e egër e funksionimit të një numri të madh të medieve online, pas të cilave supozohet se qëndrojnë grupe të caktuara politike dhe biznesore, ka ndikuar që edhe opinioni publik shpeshherë të mos informohet objektivisht.

Zëvendëskryeredaktori i gazetës “Zëri”, Lavdim Hamidi, ka theksuar se më të goditurat nga portalet fantome janë mediet serioze, të cilat kanë numër të madh të punëtorëve, pasi që shkrimet e tyre u merren pa u respektuar e drejta autoriale.

“Vite më parë personalisht kam shkuar në Suboticë të Serbisë për ta realizuar storien e migrimit dhe për të raportuar për trafikantët që ishin të përfshirë në eksodin e kosovarëve, përderisa kur është botuar storia në ‘Zëri’ shumë portale as që e kanë cituar mediumin që e ka bërë këtë hulumtim. Madje, disa prej tyre e kishin fshirë edhe logon e gazetës nga fotografitë që i kishim realizuar nga vendi i ngjarjes”, ka pohuar Hamidi.

Imer Mushkolaj, kryesues i Bordit të Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës, ka thënë se në Kosovë ka medie online të cilat janë jashtëzakonisht profesionale dhe që investojnë në profesionalizëm, por që, sipas tij, janë disa portale të cilat nuk zbatojnë asnjë kod të etikës dhe as që janë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

“Për fat të mirë në Kosovë ka medie online jashtëzakonisht profesionale, të cilat investojnë në profesionalizëm, investojnë mjete financiare në mënyrë që të mbërrijnë në një nivel të lartë të profesionalizmit, por prapë ky keqkuptim ose ky si pretendim krijohet pikërisht prej medieve joprofesionale, prej medieve online joprofesionale, të cilat në këtë mënyrë provojnë që t’i fusin të gjitha mediet online në një ‘thes’, duke thënë se ja të gjithë jemi njësoj”, ka thënë Mushkolaj.

Ish-kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, ka thënë se pluralizmi medial është më e mira që i ka ndodhur Kosovës viteve të fundit, pasi që, siç deklaroi ai, grupet e caktuara të interesit kanë hequr ndikimin e tyre në medie.

“Mediet online më së shumti i kanë ndihmuar këtij pluralizmi medial”, ka shtuar Shabani.

Ndërsa Furtuna Sheremeti, eksperte ligjore për medie në Lëvizjen “Fol”, ka thënë se mediet online është mirë ta ndjekin rregullin anglo-sakson, pasi që, sipas saj, ky është një rregull shumë i mirë.

“Para krijimit të një medie online ose të një portali do të duhej paraqitur pranë një organi, i cili është enkas i krijuar për regjistrimin apo anëtarësimin e këtyre portaleve. Ky është model anglo-sakson, i cili ka funksionuar shumë mirë në shumë vende. Mendoj se mundet të funksionojë te ne sepse regjistrimi i portaleve në ARBK nuk është adekuat edhe është qesharak”, deklaroi Sheremeti. /Gazeta Zëri