Sport

Defekt në avion, kombëtarja izraelite bllokohet në aeroportin ‘Nënë Tereza’ (Video)

Izraeli mori tri pikë të çmuara falë fitores 3-0 ndaj kuqezinjve, por kthimi për në shtëpi nuk ka qenë kaq i thjeshtë sa ndeshja e mbrëmshme.

Kombëtarja izraelite mbeti e bllokuar për gati dhjetë orë në aeroportin “Nënë Tereza” si pasojë e një defekti në aeroplanin që do t’i çonte në vendin e tyre, shkruan Panorama Sport.

Mësohet se skuadra dhe stafi teknik kanë hyrë në avion rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe mjeti fluturues nisi të lëvizte, por u detyrua të kthehej në aeroport pas një defekti.

Ekipit iu desh të priste për më shumë se katër orë në avion, derisa u vendos të merrej një aeroplan tjetër nga Polonia.

Prej atij momenti e deri në orën 12:00, kur mbërriti aeroplani tjetër, lojtarët dhe stafi pritën brenda në aeroportin e Rinasit.

Mesfushori Ben Sahar e komentoi kështu ngjarjen: “Çfarë nuk na ndodhi në këtë udhëtim. Ngecëm bllokuar, por të paktën ishim me fitore”. /Express/