Aktuale

Deda: Me demarkacioni Kosova mund ta marr liberalizimin, por Qeveria do të akuzohei për tradhti

Deputeti, Ilir Deda ka publikuar edhe shkrimin e tij të dytë për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku ka folur për pasojat e ratifikimit të marrëveshjes së 26 gushtit 2015

Në këtë shkrim Deda ka thënë se me ratifikimin e kësaj Demarkacionit, Kosova mund të fitoj liberalizimin e vizave, megjithëse thotë se kjo nuk është e garantuar. Në anën tjetër, sipas tij, Qeveria do të akuzohet për tradhti dhe do të thellohej polarizimi i skenës politike shqiptare në vend, transmeton lajmi.net

Ky është shkrimi i plotë i deputetit, Ilir Deda:

Pasojat e ratifikimit të këtij demarkacioni me Malin e Zi
Më shumë se 80% e qytetarëve të Kosovës dëshirojnë liberalizim të vizave. Më shumë se 70% e qytetarëve janë kundër këtij demarkacioni. Do të thotë që shumica e qytetarëve tanë janë edhe për edhe kundër përmbushjes së kritereve të BE-së për heqje të vizave. Shumica e 70%-shit kundër demarkacionit thotë se e kundërshton “faljen e tokës për viza”. Kjo është bërë edhe shprehje gjithandej Kosovës.

Cilat do të ishin pasojat e ratifikimit të demarkacionit në këtë situatë? Sa për sqarim, nuk është opozita ajo që po e bllokon demarkacionin, por janë një numër i konsiderueshëm i deputetëve të LDK-së dhe disa të PDK-së, gjegjësisht deputetët e koalicionit qeveritar në Kuvendin e Kosovës, që po e pamundësojnë arritjen e 80 votave për demarkacion. Ne, 31 anëtarët opozitarë të Kuvendit, nuk mund të bllokojmë asgjë në Kuvend.

Ratifikimi i këtij demarkacioni mund të sjellë këtë rrjedhë të ngjarjeve:

-BE e përshëndetë përmbushjen e kushtit të fundit të Kosovës për liberalizim të vizave, dhe fillohet të “lëvizet përpara” së pari në Komisionin LIBE të Parlamentit Evropian, pastaj të shkresës së Komisionit Evropian Këshillit të BE-së për vendimin që Kosova të vendoset në listën e bardhë të Shengenit, që do të thotë të hiqen vizat për Kosovën.

Këtu përfundon ajo që dihet me siguri se do të ndodhë. Sepse në Këshill të BE-së duhet të votohet me koncensus të plotë heqja e vizave për Kosovën. Do të thotë që edhe kundërshtarët si psh Franca, Belgjika, Suedia, Holanda, Austria dhe disa shtete të tjera do të duhej të pajtohen me heqje të vizave për Kosovën. Por, në të njëjtën kohë do të jepej mundësia që të gjithë përkrahësit e heqjes së vizave për ne si brenda ashtu edhe jashtë BE-së të kishin argumente të fuqishme pro liberalizimit. Dhe gjasat janë që këtë vit vizat do të hiqeshin dhe më në fund do të dilnim nga izolimi i tmerrshëm në të cilin gjendemi si shoqëri. Them gjasat, sepse këtu nuk ka garancë qind-përqindëshe. E vetmja siguri është se më në fund do të vendosej në tavolinë heqja e vizave për Kosovën.

E çka do të ndodhte brenda Kosovës? Një pjesë e opozitës do të thoshte se me të gjitha mënyrat do t’a kundërshtonte zbatimin e demarkacionit. Qeveria do të akuzohej për tradhëti. Aty-këtu edhe mund të dalin disa duke menduar se me armë do të ndalnin shënimin e vijës së re kufitare. Thyerja e shoqërisë shqiptare në Kosovë do të vazhdonte, së bashku me thellim të polarizimit politik. Do të kishte edhe protesta, më së paku. Në varësi a do të hiqeshin vizat apo jo, do të vazhdohej me “falje të tokës për viza” apo “falje të tokës për asgjë”.

Gjithashtu, do të krijoheshin precedente të reja, ndër të tjera edhe këto:

– Kadastrat bëhen i vetmi dokument i Kosovës për demarkacion, dhe demarkacioni me Serbinë një ditë do të bëhej vetëm në bazë të kadastrave;

– I gjithë dokumentacioni tjetër që e vërteton pronësinë e Kosovës bëhet i pavlefshëm;

-Për çështje të integritetit territorial dhe sovranitetit nuk duhet koncensus i gjërë politik;

-Në marrëdhënie ndërkombëtare, Kosova do të shihej si një vend që me shumë vështirësi të brendshme i zbaton obligimet që i merr, me çka do të vazhdonte dobësimi i një trohe kredibiliteti që na ka mbetur.

Dhe ne do të vazhdonim të jemi të tillë – të papjekur politikisht, të ngërthyer në popullizëm, skajshmërisht të paaftë që çështjet madhore t’i zgjidhim bashkë. Ndoshta po të hiqeshin vizat, në fund të këtij viti edhe do t’a harronim demarkacionin, siç i harruam shumë gjëra të tjera deri sot.

—-

Në dy shkrimet e radhës do të lexoni për pasojat e mosratifikimit, dhe për mundesinë e zgjidhjes.