Deputeti i LDK-së Anton Quni dhe ai i PDK-së Xhavit Haliti janë përplasur sërish për 8 milionë markat e luftës, për të cilat Quni thotë se Haliti i ka marrë nga Ministria e Mbrojtjes. Në seancën e së enjtes Kuvendi ka miratuar edhe Rezolutën për Personat e Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ka miratuar Rezolutën për Persona të Pagjetur për të cilën u debatua gjatë më 27 prill në një seancë të jashtëzakonshme, e cila ishte ftuar nga Andin Hoti dhe nga Saranda Bogujevci, por që ishte shtyrë për mungesë kuorumi.
Për rezolutën kanë votuar 71 deputetë, ndërsa 4 deputetë ishin kundër. Në këtë rezolutë kërkohet që të bëhet zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur të vendoset si parakusht në dialogun Kosovë – Serbi, si dhe të bëhet pjesë e platformës shtetërore për dialogun.
Po ashtu kërkohet që të gjithë bartësit e detyrave në bazë të pikave të kësaj rezolute të qasen në mënyrë të veçantë në dialogun me Serbinë të zbardhjes së fatit të veprimtarit Ukshin Hoti për shkak të rrethanës së zhdukjes së tij, që sipas Kuvendit është e planifikuar nga strukturat komanduese të shtetit serb, duke përfshirë drejtorin e Burgut të Dubravës në Istog dhe Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë. /zeri/