Aktuale

Deane: EULEX do të vazhdojë të ofrojë këshilla për të gjitha agjencitë për zbatimin e ligjit

Sot, gjatë vizitës së tij në Kosovë, Komandanti i operacioneve civile të BE-së Kenneth Deane, bashkë me Shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, u takuan me Zëvendës-Kryeministrin, Hajredin Kuçi për të diskutuar lidhur me mandatin e tanishëm të EULEX-it dhe për angazhimet e vazhdueshme për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë

Gjatë këtij takimi, Deane e potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të EULEX-it me institucionet e Kosovës, duke e theksuar qëllimin e përbashkët për zhvillimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit.

“Jam i lumtur që erdha përsëri në Kosovë, si dhe për mundësinë që t’i vizitoj Pallatin  Drejtësisë dhe Burgun e Sigurisë së Lartë. EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë këshilla për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës në mënyrë që të përforcohen më tej të gjitha agjencitë të cilat e mbështesin zbatimin e ligjit.”, tha Kenneth Deane.

Zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se për Qeverinë e Kosovës zhvillimi ekonomik, fuqizimi i sundimit të ligjit dhe integrimi në Bashkimin Evropian janë shtylla që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kuçi e siguroi Deane se përmbushja e kritereve që dalin nga MSA-ja, si dhe finalizimi i procesit të liberalizimit të vizave, janë prioritete për Kosovën. Kuçi gjithashtu falënderoi atë për mbështetjen që Bashkimi Evropian ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë për institucionet e Republikës së Kosovës.

Deane do ta vizitojë Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc si dhe Pallatin e Drejtësisë, ku ai do të informohet nga Fejzullah Hasani, Kryetar i Gjykatës Supreme./GazetaExpress/