Rajon & Botë

De Mistura: Negociatat për Sirinë shtyhen për 20 shkurt

I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura deklaroi të martën se negociatat për paqe në Siri, të planifikuara për 8 shkurt në Gjenevë, janë shtyrë për 20 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).

De Mistura dhe ambasadori i Suedisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-ve, Olof Skoog pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, mbajtën konferencë për media në të cilën folën për negociatat e caktuara.

Skoog, vendi i të cilit momentalisht kryeson me Këshillin e Sigurimit të OKB-ve, shprehu mbështetje të plotë për De Mistura-n lidhur me çështjen siriane.

“Negociatat janë anuluar me qëllim që të forcohet marrëveshja e cila u arrit më 30 dhjetor dhe i ofroi rastin regjimit që të bëjë lëshime dhe mundësojë më shumë kohë opozitës që të bashkojë një delegacion”, tha De Mistura, duke shtuar se në negociata do të marrin pjesë edhe gra, që më herët nuk ka qenë rasti.

Në fund ai theksoi se armëpushimi në Siri është i efektshëm.  Marrëveshja për armëpushim në Siri përmes ndërmjetësimit të Turqisë dhe Rusisë hyri në fuqi më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Në negociatat e paqes për Sirinë që në Astana u mbajtën më 23 dhe 24 janar, Turqia, Rusia dhe Irani u dakorduan për formimin e mekanizmit trilateral për mbikëqyrje të implementimit dhe shkeljes së armëpushimit.

Rrjeti për të drejtat e njeriut në Siri (SNHR) më herët shpalli një raport në të cilin theksohet se armëpushimi i dakorduar në Siri gjatë muajit të kaluar është shkelur gjithsej 366 herë, ku shkelësit më të shpeshtë janë në anën e regjimit të Asadit dhe grupeve besnike të tij të terroristëve të huaj.