Aktuale

DCAF fuqizon kapacitetet për trajnim të specializuar për integritetin policor

DCAF (Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura) në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Policinë e Kosovës (PK) dhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbajti punëtorinë katër ditore mbi “Fuqizimin e kapaciteteve për trajnim të specializuar mbi integritetin policor”.

16 zyrtarë nga IPK-ja, PK-ja dhe AKSP-ja vijuan këtë punëtori e cila u udhëhoq nga zyrtarët e DCAF-it.

Gjatë kësaj punëtorie u bë prezantimi i “Manualit të Trajnimit mbi Integritetin Policor” të DCAF-it për përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë dhe u diskutua për implementimin e tij në sistemin e trajnimit policor në Kosovë.

Për më tepër, pjesëmarrësit ushtruan se si të mbahet trajnimi mbi integritetin policor duke përdorur Metodologjitë e Mësimit për të Rritur dhe aktivitetet e përfshira në Manualin e Trajnimit të DCAF-it me qëllim që të ngritën shkathtësitë e tyre të fasilitimit/ligjërimit.

Në fund të punëtorisë pjesëmarrësit zhvilluan edhe një draft plan të trajnimit i cili mund të shërbejë si bazë për pilot kursin e trajnimit të zyrtarëve të policisë mbi integritetin policor.DCAF ka mbështetur Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe institucionet tjera lokale në fuqizimin e integritetit të shërbimit policor dhe personelit të tij.

Aktivitetet e DCAF-it deri më tani përfshijnë një mori tryezash të rrumbullakëta (2013, 2014, 2015) të cilat kanë krijuar platformë për dialog shumëpalësh dhe kanë bërë vetëdijesimin për tema të ndryshme që ndërlidhen me integritetin, siç janë planifikimi i integritetit, bashkëpunimi institucional në fushën e hetimit dhe ndjekjes së sjelljeve të pahijshme të policisë, dhe rëndësinë e mbikëqyrjes së jashtme.

Për më tepër, organizimi i një seminari ndërkombëtar mbi kontrollin dhe mbikëqyrjen policore në vitin 2015 ka sjell deri te identifikimi i sfidave dhe praktikave të mira në punën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe në shkëmbimin e përvojave praktike ndërmjet institucioneve të mbikëqyrjes nga vendet e ndryshme.