Pas përfundimit të vizitës zyrtare në Norvegji, shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj po qëndron për një vizitë tjetër zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës, ku të mërkurën është pritur nga ministri i Jashtëm i këtij shteti, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit danez dhe përfaqësuesit e Konfederatës së Industrisë.
Në këto takime janë diskutuar çështje që ndërlidhen me interesin dypalësh të të dyja vendeve, ndërkohë që nga përfaqësuesit e Danimarkës është ri-theksuar mbështetja për Kosovën mbi procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik bilateral, me theks të veçantë në shikimin e mundësive për organizimin e një forumi të investimeve në mes dy vendeve.
“Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm, me deputetë të Parlamentit danez, si dhe me përfaqësues të qeverisë kemi biseduar për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ku mbështetja e Danimarkës është e madhe dhe e mirëfilltë, sikurse edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka shfaqur besimin se viti 2017 do të përcillet me anëtarësime dhe suksese konkrete.