Qëndrimi i Listës Serbe për bojkot të institucioneve të Kosovës nuk i kontribuon zhvillimeve në vend, për obligimet e përbashkëta lidhur me realizimin e synimeve dhe zgjidhjeve problemeve jetike jo vetëm për interesat e serbëve, por edhe komuniteteve të tjera.
Kështu ka deklaruar kryeministri i vendit, Isa Mustafa, pas takimit që pati me drejtorin e përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata, për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson.
Mustafa tha bashkërisht me përfaqësues të Listës Serbe duhet ulur dhe në kuadër të argumenteve dhe pajtimeve të gjendet një zgjidhje, sepse zgjidhja gjithmonë ekziston.
“Ky mendim dhe ky qëndrim nuk i kontribuon bashkëpunimit tonë dhe nuk i kontribuon obligimeve tona të përbashkëta që I kemi lidhur me realizimin e synimeve, për zhvillim ekonomik, të zhvillimit social të përkrahjes që duhet ti japim pushtetit lokal edhe zgjidhjes së problemeve jetike jo vetëm të serbëve dhe të komuniteteve tjera në Kosovë. Edhe unë e shoh arsyen që edhe ministrat dhe deputet serb të kthehen të vazhdojnë detyrat e tyre, ndërkaq ne bashkërisht të ulemi dhe përmes argumentimeve, përmes pajtimeve tona të përbashkëta të gjejmë zgjidhje, sepse zgjidhja gjithmonë gjendet”, tha kryeministri Mustafa.
I pari i Qeverisë bëri të ditur se në këtë takim është biseduar për çështje me interes të përbashkët, si MSA-në, reformën evropiane, fushën e drejtësisë, punësimit dhe arsimit.
Mustafa deklaroi se në këtë takim është diskutuar edhe për dy çështjet e mbetura që lidhen me liberalizim, demarkacioni me Malin e Zi, dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Lidhur me Ligjin për Trepçën, Mustafa tha se ky ligj është në dobi të të gjithëve, ndërsa tha se dialogu me Serbinë do të vazhdojë.
Në anën tjetër, Christian Danielsson tha se Kosova ka nevojë për investime strategjike dhe kjo duhet të shihet si prioritet, ndërsa tha se Kosova ka përmbushur obligimet për liberalizim, përveç demarkacionit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Sa për Komisionin Evropian ne jemi të gatshëm t’u japim mbështetje të plotë agjendës suaj dhe besojmë në implementimit e MSA-së. Dhe jemi të bindur se ky do jetë një hap shumë I rëndësishëm në rrugën Evropiane për Kosovën . Ne gjithashtu diskutuam se ku ju jeni në procesin e liberalizimit të vizave. Le ta rikujtojmë se nga 95 pikat Kosova vetëm se i ka përmbushur 93 dhe vetëm dy kanë mbetur. Dhe unë vetëm mund ta përsëris atë çka e thatë, e që ka të bëjë me demarkacionin me Malin e Zi, dhe që ka të bëjë me forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne jemi të përkushtuar, zoti kryeministër të vazhdojmë të ju mbështesim progresin e Kosovës për realizimin e perspektivës Europiane”, tha Danielsson.
Kryeministri po ashtu njoftoi Danielsson se mbetën të përkushtuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku sipas tij, ka pasur akuza dhe të dënuar për korrupsion./KP