Armend Dallku duket më i motivuar se kurrë para ndeshjes së kthimit të rrethit të parë kualifikues së Europa Leagues, e cila e vë përballë FC Prishtinën në duel me Norrkopingun.
Skuadra suedeze e ka fituar përballjen e parë 5:0 dhe do të vijë në Kosovë për ta ruajtur këtë kapital të madh, shkruan sot gazeta Zëri.
Mirëpo, ky fakt nuk i pengon prishtinasit të vazhdojnë të ëndërrojnë dhe ta synojnë një paraqitje sa më të mirë ndaj kundërshtarit, në ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare që do ta zhvillojnë në vendin tonë.
Kapiteni i prishtinasve insiston se ai me shokë do ta bëjnë më të mirën në fushë, por e sheh të nevojshme prezencën e sa më shumë tifozëve dhe mbështetjen e tyre për ekipin Bardhekaltër, në mënyrë që në fund prishtinasit ta fitojnë lojën dhe të dalin nga fusha me kokën lart.
“Shikuesve tanë u premtojmë angazhim maksimal, sepse ne duam ta fitojmë këtë ndeshje. Pavarësisht humbjes së thellë, ne tani e njohim kundërshtarin dhe pikat e forta të tyre, apo më mirë të themi pikat ku ne kemi çaluar. Trajneri ka ndërmarrë masa që sadopak t’i eliminojë ato dobësi dhe normalisht të tentojmë ta fitojmë ndeshjen për ta ngritur moralin e ekipit”, u shpreh Dallku për uebfaqen zyrtare të klubit.
“Kuptohet, morali pati rënë pas asaj humbjeje, por si kapiten i ekipit premtoj se pa marrë parasysh ndeshjen e parë ne do të luftojmë, ta harrojmë ndeshjen e parë dhe t’u dhurojmë gjithë shikuesve prezentë fitore me lojë të bukur. Por, për ta arritur fitoren na duhet pashmangshëm përkrahja e lojtarit të 12-të, tifozëve tanë të flaktë. Ata duhet dhuruar spektakël në tribuna e ne në fushë”, ka shtuar kapiten Dallku.
Thaqi: Duam fitore
Trajneri Arsim Thaqi po mundohet t’i motivojë maksimalisht lojtarët e tij për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet nesër mbrëma. Ai insiston se lojtarët duhet të kenë inat dhe me ketë rast ta fitojnë këtë përballje përpara “Plisave”.
“Krejt çfarë mund t’iu premtojmë atyre që vijnë ta shohin ndeshjen dhe të tjerëve, të cilëve u bëj ftesë që të vijnë të na shohin, është se me të vërtetë do të angazhohemi e do ta japim maksimumin. Rastet që i kanë lëshuar lojtarët në ndeshjen e parë nuk do t’ia lejojnë vetes mos t’i realizojnë. Do t’ia arrijmë qëllimit ta rikthejmë rezultatin edhe pse gjërat tjera sigurisht se do t’ia lëmë lojës”, theksoi trajneri prishtinas, i cili pret lojë shumë të fortë dhe angazhim maksimal e përqendrim para portës, duke paralajmëruar po ashtu ndryshime në formacion.
“Neve na duhet cilësi dhe përqendrim para portës, inat më të madh dhe ta fitojmë ndeshjen”, ka përfunduar shefi i shtabit teknik të prishtinasve. /Zëri/