Autoriteti i Informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit te Shtetit ka njoftuar sot se e ka kryer misionin e tij në lidhje me marrjen në konsideratë të kërkesave të subjekteve zgjedhore, për verifikimin e figurës së kandidatëve për t’u zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Autoriteti bashkëpunoi dhe bashkërendoi punën me Institucionin e Avokatit të Popullit, si një prej institucioneve të ngarkuara me ligjin 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, për realizimin e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë në komisione të posaçme të sistemit të drejtësisë, si dhe mori të gjithë masat e nevojshme që ky proces të realizohet sipas standarteve të kërkuara.
Në këtë kontekst, për t’i ardhur në ndihmë institucioneve ligj zbatuese të këtij procesi por dhe vetë individëve të përfshirë në sistemin e drejtësisë, Autoriteti miratoi modelin e Formularit që duhet të plotësonin anëtarët e rinj që do t’i nënshtroheshin procesit të vetingut në përgjithësi dhe procesit të vlerësimit të cilësive etiko-morale të tyre në veçanti, sipas ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Sa më sipër, referuar objektit të kërkesës së paraqitur rast pas rasti nga institucioni i Avokatit të Popullit, kemi përfunduar në kohë reale, procedurën e vlerësimit të cilësive etiko-morale, mbi bazën e verifikimit të dokumentacionit të administruar dhe vendimmarrjes së Autoritetit, sipas nenit 29 të ligjit 45/2015:
të 189 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë) kandidatëve për t’u zgjedhur si anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit,
të 25 (njëzet e pesë) kandidatëve për t’u zgjedhur si anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, brenda afateve kohore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
të 3 (tre) kandidatëve për anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nga rradhët e Avokatit të Popullit.
2. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë (Autoriteti), në përmbushje të parashikimeve ligjore të nenit 30, të Ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të paraqitur jo vetëm nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, por dhe kërkesave të paraqitura nga subjektet zgjedhore, të cilët paraqesin lista shumë emërore kandidatësh për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, apo kandidatë për të zgjedhur vendor, në lidhje me ekzistencën e informacioneve për ta, në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991, për të cilët është kërkuar verifikimi i figurës, për qëllime të transparencës, gjatë fushatës elektorale.
Pranë Autoritetit, për qëllime të transparencës, gjatë fushatës elektorale, paraqitën kërkesë për të verifikuar figurën e kandidatëve për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, datë 25 qershor 2017, vetëm (2) dy subjekte politike zgjedhore të regjistruara në KQZ për këto zgjedhje, respektivisht subjekti politik zgjedhor Partia, Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe subjekti politik zgjedhor Aleanca Popullore për Drejtësi (APD).
Sa më sipër, kemi përfunduar në kohë reale, procedurën e vlerësimit të cilësive etiko-morale, mbi bazën e objektit të kërkesës, verifikimit të dokumentacionit të administruar dhe vendimmarrjes së Autoritetit, sipas nenit 30 të ligjit 45/2015:
të 144 (njëqind e dyzet e katër) kandidatëve për t’u zgjedhur deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, datë 25 qershor 2017, të propozuar nga PDIU.
të 141 (njëqind e dyzet e një) kandidatëve për t’u zgjedhur deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, datë 25 qershor 2017, të propozuar nga APD.