Disa orë para se të vritej, i mituri Aulon Zeka ishte takuar me dy të miturit e tjerë, tanimë të arrestuar, G. H. dhe R.G., në picerinë “Bellmonde” në lagjen “Arbëria”, shkruan sot Koha Ditore.
Takimi mes tyre dyshohet se ishte organizuar për në orën 13:30 nga e mitura 15-vjeçare, R.G., e cila sipas një shkrese të Prokurorisë që e posedon “Koha Ditore”, është e dashura e G.H. Të tretë, në atë lokal dyshohet se kanë qëndruar rreth dy orë.
Prej aty, që të tre kanë shkuar me taksi në lagjen “Dardania” dhe te Posta e Madhe dyshohet se e mitura R.G. është ndarë prej tyre.
Aulon Zeka bashkë me G.H., kanë vazhduar në drejtim të rrethit të lagjes “Arbëria”, duke shkuar pastaj në drejtim të shkollës fillore “Qamil Batalli”.