Aktuale

Daka qytetarëve: Dilni dhe shfrytëzoni të drejtën tuaj për votim

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka përcjellur nga afër procesin e votimit në Komunën e Drenasit.

Daka ka deklaruar se me aq sa ka parë dhe ka informata nga tereni, deri tash çdo gjë është duke shkuar në rregull. E para e KQZ-së u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në Drenas, që ta shfrytëzojnë mundësinë e tyre dhe të dalin në votime.

‘’Sot isha në qendrën e votimit ‘’Rasim Kiqina’’ në Drenas dhe kisha kënaqësinë të shohë se deri më tani çdo gjë është duke shkuar në rregull dhe se të gjitha përgatitjet ashtu siç ka premtuar KQZ-ja janë të kryera. Unë shpresoj që edhe gjatë ditës, pjesës tjetër të mbetur të votimit, do të kemi një trend të njëjte sikur deri më tani. I ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të shfrytëzojnë këtë të drejtë’’, tha Daka.

Znj. Valdete Daka gjithashtu ka pranuar se ka pasur probleme teknike, por ka thënë se nuk ka pasur ndonjë pengesë të qëllimshme që ka mundur ta dëmtoj procesin zgjedhor.

‘’Është e mundur ato janë çështje teknike, megjithatë ne të gjithë jemi njerëz, edhe kryesuesit e vendvotimeve janë njerëz edhe mundet me pas  ndonjë pengesë të vogël teknike por nuk ka ndonjë pengesë që e dëmton procesin apo ndonjë pengesë e cila ka qenë e qëllimshme’’ tha Daka. /KP