Aktuale

Daka: KQZ nuk do të raportojë për incidentet në ditën e zgjedhjeve

Në mbledhjen e radhës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është aprovuar draft plani operacional dhe konferencave të KQZ-së për ditën kur do të mbahet raundi i dytë për kryetar të komunës së Drenasit që do të mbahet të dielën.

Për këtë pati disa kundërthënie nga anëtarët e KQZ për mënyrën e raportimit nga Sekretariati për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, tha se ky institucion nuk e ka për obligim të raportojë në ditën e zgjedhjeve për medie për incidentet e ndryshme,  pasi siç tha ajo, Prokuroria duhet të raportojë për këtë.

 

“Krejt pajtohem me këtë, mirëpo çështjen e raportimit nga ana e KQZ-së për incidentet eventuale, sepse ne po e marrim rolin e Prokurorisë. Prokuroria është kompetente për ta njoftuar opinionin, jo ne, sepse ne e kemi vetëm një informatë,  e cila vjen në çfarëdo lloj linje. Ne nuk mundemi ta konfirmojmë  ekzistencën e shkeljes apo incidentit apo çka do qoftë. Sepse ka pasur edhe dezinformata edhe raste të rreme, dhe raste të cilat nuk kanë dalë mandej”, tha Daka.

Përfaqësuesi i VV-së në  KQZ Adnan Rrustemi  tha se duhet raportuar çdo gjë që vjen nga dhoma operative e KQZ-së, edhe pse këtë e kundërshtoi kryetarja Valdete Daka.

 

“Dhoma Operative është në KQZ, dhe informacionet janë të KQZ-së dhe ato duhet t’i plasojë KQZ-ja. Të tjerat që janë të sferës penale le t’i raporton Prokuroria, Policia, etj. Por për procesin mendoj se KQZ duhet ta bëjë këtë”, tha  Rrustemi.

Rrustemi theksoi se KQZ-ja po dëshiron ti ikë përgjegjësive për sa i përket mënyrës së raportimeve për publikun.

 

“Kjo është një përpjekje e Sekretariatit për me i ikë sërish përgjegjësisë dhe për mua kjo është shqetësuese. Sekretariati brenda një ore ose raportimet që i ka nga terreni e që në të njëjtën Dhomë e ka policin dhe ka komunikimin me strukturat e policisë, dhe është prokurori që e ka komunikimin me strukturat e prokurorisë. Po ashtu ka zyrtarë të KQZ-së që kanë komunikimin me zyrtarë tonë komunal, pra duhet me u konfirmuar në tri burime ose në dy dhe me u raportuar në KQZ. Pra, ti mundesh me raportuar në KQZ edhe nivelin e konfirmimit dhe thua se është ën proces të verifikimit nuk ka mbërri me u konfirmua… Andaj, mos t’i vendosim vetes një mal pengesash për me mbyll pastaj informacionin”, tha Rrustemi.

Ndërsa, Enis Halimi nga Sekretariati i KQZ-së i cili kërkoi sqarime nga anëtarët për mënyrën e raportimeve ditën e zgjedhjeve, ka njoftuar anëtarët e këtij komisioni, për përgatitjen e materialit për balotazhin që do të mbahet në Drenas.

KQZ-ja në mbledhjen e sotme ka akredituar edhe 52 vëzhgues të cilët kanë aplikuar konform legjislacionit në fuqi. /KP