Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka ka votuar e para duke hapur kështu simbolikisht qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Daka ka bërë të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe se nuk ka pasur probleme.
Ajo ka bërë thirrje gjithë qytetarëve që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, derisa komisionarëve u ka bërë thirrje që të mos e keqpërdorin pozitën e tyre.“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejt vote ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, të votojnë ta rrisim imazhin e shtetit tonë, të sillemi me dinjitet gjatë ditës së sotme. I ftoj të gjithë komisionarët e subjekteve politike që mos ta keqpërdorin pozitën e tyre, që të sillen sipas standardeve ndërkombëtare dhe të tregojmë botës se edhe ne jemi pjesë e demokracisë dhe se edhe ne dimë të organizojmë zgjedhje atëherë kur duhet”, u shpreh ajo.
Daka theksoi se për veriun e vendit janë angazhuar 200 pjesëtarë të OSBE-së, të cilët do të jenë teknik dhe nuk do të kenë asnjë rol ekzekutiv, por vetëm këshillëdhënës për anëtarët e komisioneve komunale. Menjëherë pas Dakës, edhe pse me numër të vogël qytetarët kishin mësy vendvotimeve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre. Ekrem Kutllovci, qytetar nga Prishtina, pasi ka votuar është shprehur optimist se do të ketë ndonjë ndryshim në qeverisjen e ardhshme në të mirë të qytetarëve.
“Sot jam votues këtu, kam dal me kry obligimin si qytetar. Besoj dhe shpresoj që do të vjen një pushtet pak më i mirë se sa këta tjerët që kanë qenë…po tash varet prej neve qytetarëve se kënd e zgjedhim, kushdo që fiton ne e kemi zgjedhur vet atë pushtet, por shpresojmë që do të ketë ndonjë ndryshim pak me të mirë”, tha Kutllovci. Kutive të votimit sot do t’i drejtohen mbi 1 milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote. /KosovaPress/