Aktuale

Daçiq provon t’ua prishë festën kosovarëve, thotë se Burundi e ka tërhequr njohjen

Në dekadën e parë të pavarësisë së Kosovës, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, thotë se Burundi ka tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Ministri serb po tenton t’i bindë shtetet për të tërhequr njohjen e Kosovës.

Këtë deklaratë Daçiç e dha në një konferencë për media, shkruan gazeta Blic.rs, transmeton Gazeta Express.

“Këto ditë në Prishtinë shënojnë dhjetëvjetorin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, dua të jap një shtojcë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Burundit ku po tërheqin njohjen e Kosovës,” tha Dacic.

Sipas tij pavarësia e Kosovës është e brishtë dhe autoritetet e Kosovës e kanë listën e rreme të 116 vendeve që e kanë njohur pavarësinë e saj.

Ai shtoi se do të vazhdojë luftën për interesat shtetërore dhe kombëtare dhe se Serbia nuk duhet ta njohë Kosovën.

Republika e Burundit ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2012. Burundi ishte shteti i parë i vendeve anëtarë të SADC dhe Afrikës Lindore që njohu pavarësinë e shtetit tonë.

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u bë shtet i pavarur. Sot bëhen dhjetë vjet që vendi ynë feston shtetësinë.

Për një dekadë, shteti më i ri në Evropë është njohur nga 116 shtete./GAZETA EXPRESS