Aktuale

Daçiq i përgjigjet Pacollit për UNESCO: Nuk zgjidhen të gjitha çështjet me para

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic i ka reaguar homologut të tij kosovar, Behgjet Pacollit, i cili dje ka thënë se Kosova i ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në UNESCO.

Dacic në një intervistë për “Blic”-in serb, ka thënë se siç dështoi herën e kaluar në Paris, Kosova do të dështoj edhe kësaj radhe dhe çdo herë tjetër që tenton të anëtarësohet në UNESCO, transmeton Indeksonline.

“Ata nuk i kanë votat e mjaftueshme për UNESCO, Pacolli mendon se mund t’i zgjidh të gjitha me para, por nuk është kështu. Ne fituam dy vite më parë, edhepse vendet më të fuqishme e mbështetën Kosovën”, ka thënë Dacic.

Ai theksoi se 30 delegatë të tyre kanë lobuar kohëve të fundit jashtë Serbisë dhe për këtë Kosova nuk ka shance të fitoj votat e duhura.

“Këshilli ekzekutiv do të mblidhet në tetor dhe Konferenca e përgjithshme është në nëntor, Kosova ende nuk ka raportuar aty, prandaj shanset janë të vogla”, ka shtuar shefi i diplomacisë serbe. /Indeksonline/