Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në një intervistë për “Zëri”, ka thënë se vendimi i Komitetit LIBE i hap rrugën Kosovës për liberalizimin e vizave. Por kjo do të bëhet me kusht që të ratifikohet edhe marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi sa më parë që është e mundur.
Çollaku ka thënë se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi mbetet një kriter i domosdoshëm ku Bashkimi Evropian nuk do të bëjë kompromis. Ai ka thënë se është bërë dje e qartë që Parlamenti Evropian nuk do ta fus në agjendë raportin për Kosovën në rast se Kosova nuk e zbaton kriterin e mbetur.
Sidoqoftë, Çollaku poashtu ka potencuar se as edhe ai vet nuk do të insistonte që demarkacioni të bëhet nëse është i bindur se Kosova do të humbiste tokë.
“ Unë me përgjegjësi të plotë e them që ne si Kosovë asnjëherë nuk do të bëjmë ratifikimin e marrëveshjes si shpërblim për liberalizim të vizave në qoftë se ne jemi të bindur që Kosova humb territor”, ka thënë Çollaku.