Stresi është një problem që mund të shfaqet tek të gjithë, e madje edhe tek fëmijët e vegjël. Kjo gjë është e rrezikshme pasi stresi i vazhdueshëm mund të shkaktojë diabet tek një person, astmë, depresion, ankth, artrit, presion të lartë të gjakut si edhe probleme me zemrën në moshë madhore.
Cilat janë shkaqet që një fëmijë përjeton stres?
Ndarja nga prindërit. Fëmijët fillojnë të ndiejnë stres të këtij lloji sidomos në moshën parashkollore. Ideja e të eksploruarit të botës pa mbështetjen e vazhdueshme të prindërve për fëmijën do të shkaktojë ankth të madh.
Presioni social. Ky lloj stresi shfaqet kryesisht tek fëmijët në moshën parashkollore, të cilët janë shpesh në siklet dhe kanë vështirësi të përshtaten në fushën sociale. Mund të prekë edhe fëmijët në moshë më të madhe.
Jeta në familje. Ngjarjet që ndodhin në familje mund të prekin edhe zhvillimin e fëmijës në kuadër të emocioneve të tij. Ai mund të ndihet në stres si pasojë e konfliketeve të vazhdueshme, një divorci apo humbjes së një prej pjesëtarëve të familjes.
Faktorë të tjerë. Janë të ndryshëm faktorët e tjerë që shkaktojnë shqetësim të fëmijës dhe të tilla mund të jenë një sëmundje, vështirësitë ekonomike, mungesa e mbështetjes nga ana e prindërve etj. Prandaj bëni kujdes në lidhje me fëmijën tuaj. Duhet të jeni gjithmonë në dispozicion për t’i dhënë mbështetjen e duhur.
Dhe mbani mend se stresi i nënës ndikon në mënyrë direkte në stresin e fëmijës. Prandaj përpiquni të mos shfaqni emocionet tuaja si edhe të mos debatoni para tij.