ShowBiz

Citi nga seriali “O sa mirë”, ka probleme me veten

Astriti apo Citi i Tophanes, është një prej roleve më të pëlqyera në serialin “O sa mirë”. Citin e interpreton aktori i ri Edon Bërveniku, i cili thotë se i duket herët të tregojë se sa është përshtatur me këtë rol, sepse i duhet edhe më shumë përvojë në aktrim, andaj edhe koha flet më së miri.

Edoni megjithatë thotë se deri tash është gjendur mirë në interpretim të karakterit specifik që ka Citi, i cili njihet si një person i egër, i frustruar, serioz gjatë punës së tij por njëkohësisht edhe i rrezikshëm.

 

“Sa jam përshtatur me rolin është vetëm fillimi, kështu që po besoj që duhet edhe pak kohë me pas përvojë në këtë punë, në këtë fushë të artit edhe masandej koha e bën të vetën, e kjo pjesa tjetër çka tregon personazhi jem është, persona të egër shumë, persona të frustrum që janë shumë serioz në punën që e bëjnë por janë pak edhe të rrezikshëm, persona që kanë problem me vetveten, e mos të flasim me personazhe tjera”, tha Bërveniku.

I pyetur nga KosovaPress, se a ka ngjashmëri Edon Bërveniku në jetën e përditshme me karakterin e personazhit në këtë serial, ai u përgjigj duke qeshur se nuk ka ngjashmëri fatkeqësisht. Edoni thotë se edhe shumë prej shikuesve të serialit kur e kanë ndalur në rrugë kanë shprehur zhgënjim, ngase kanë menduar që bilës pak të ketë ngjashmëri me rolin që interpreton.

 

“Jo jo, fatkeqësisht. Njerëzit po mendojnë zakonisht kur po më shohin në rrugës, kur po bisedojnë me mu “M’fal a je ti Citi?”, me demek s’je qaty, po dëshpërohen, kështu që unë jam komplet krejt tjetër, kjo është veç punë personazhi”, tha Bërveniku.

Fillimi i kohës pas diplomimit të Edonit ishte i vështirë sipas tij, për arsye se mbeti një kohë të gjatë pa angazhime në profesion, mirëpo viti 2016, veçanërisht angazhimi në serial, ishte fillimi i një suksesi në ardhje ndoshta edhe më të madh.

 

“Për mua fillimi ka qenë i vështirë se kur diplomova unë, me iu tregu drejtën pata pak një pauzë bajagi të gjatë, nuk kisha angazhime, mirëpo viti 2016 pati sukses me futjen e një personazhi të ri në serialin “O sa mirë”, kështu që po besoj është përshtat, po e pëlqejnë, kështu që iu mbetet më së miri me e vlerësu vet shikuesit ose publiku. Risitë nuk kom qejf me i shpalos, kështu që vetë fjala risi ju duheni me e pa pak si surprizë, po e lë anën e surprizës ta shohim se çka ka me ndodh”, tha Bërveniku.

Aktori Edon Bërveniku, u bë pjesë e serialit “O sa mirë” gjatë sezonit të tretë, në rolin e Citit, një djalë nga Prishtina që është mjaft problematik, por që ka vendosur të bëhet pjesë e këtij kolegji. Personazh ky i cili po arrin të pëlqehet mjaft nga publiku si rrjedhojë e personalitetit të tij. /L. Ademaj/