Aktuale

Cila është “zgjidhja me kompromis” e çështjes së Kosovës për Vuçiqin?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të kërkojë nga Brukseli mendim rreth asaj se cila, sipas krerëve të Bashkimit Europian, është zgjidhja e mundshme me kompromis për çështjen e Kosovës, shkruan sot e përditshmja e Beogradit, “Danas”, transmeton Koha.net.

Sipas këtij burimi, presidenti i Serbisë këtë hap do ta bëjë para se të dalë me propozimin e vet, të paralajmëruar për në prill, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Vuçiq dy ditë më parë tha se nga fundi i marsit, më së largu në fillim të prillit do të dalë me propozimin për “zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. “Danas” thotë se Vuçiq do të kërkojë edhe mendimin e organizatave joqeveritare, ndër të tjera të Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, të Fondit për të Drejtën Humanitare, Yukom-it, të Fondit të Beogradit për Ekselencë Politkke, Fondit për Shoqëri të Hapur… se çfarë mendojnë e propozojnë ato si zgjidhje për çështjen e Kosovës. Edhe këtë do ta bëjë, po ashtu, para se ta bëjë publik propozimin e vet.

Gjatë javëve të fundit, Vuçiq duke folur e paralajmëruar propozimin e vet për Kosovën, vazhdimisht ka thënë se do të kërkojë kompromis, përkatësisht se nuk bën që njëra palë t’i fitojë të gjitha e tjetra asgjë, e citon atë “Danas”, transmeton Koha.net. Dy ditë më parë, ndërkaq, është shprehur se nëse nuk arrihet kompromisi, do ta “lë konfliktin të ngrirë”.

“Do të dal, sepse nuk jam qyqar, do ta kem guximin të them cili është propozimi, por ai nuk do të jetë “Shqiptarë të dashur, ua lëmë ju të gjitha”, ai do të jetë kompromis. Nëse nuk duan të flasin rreth tij, do të kemi konflikt të ngrirë”, është shprehur ai.

Duke paralajmëruar prezantimin e zgjidhjes së tij për fund të marsit, përkatësisht fillim të prillit, Vuçiq ka thënë: “Ne kemi interesat tona dhe interesin e popullit tonë në Kosovë e Metohi. Rreth kësaj asgjë nuk do të fsheh, por për këtë do të flas me popullin tonë”.

Deri më tash Aleksandar Vuçiq ka dhënë mendim pozitiv vetëm për zgjidhjen e propozuar nga akademiku Vlladan Kutleshiq. Ai ka propozuar “Union real shtetesh të pavarura të Serbisë e Kosovës, të cilat megjithatë do të ishin të ndërlidhura mes tyre”. Kutleshiq citohet të ketë thënë “Propozimi im presupozon që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, por ajo do të mbetej institucionalisht e lidhur me Serbinë. Do të ishte union doganor me treg unik dhe politikë unike monetare. Dinari nuk do të ishte i detyrueshëm të jetë valutë zyrtare, por që do të përdorej në Kosovë si mjet pagese. Ky segment ekonomik për Serbinë është posaçërisht i rëndësishëm, meqë prodhimet tona vazhdojnë të blihen më së shumti në Kosovë e Metohi, ndërsa me union plasmani i prodhimeve serbe do të ishte shumë më i lehtë”, ka thënë Kutleshiq, duke shtuar se “shembuj të unioneve reale ka edhe sot në botë, ashtu siç ka pasur edhe në të kaluarën”, transmeton Koha.net.

“Sikur të kishim këtë mendje 10,15 ose 20 vjet më parë, disa gjera sot me siguri do të ishin ndryshe”, kishte thënë Vuçiq kur e ka dëgjuar këtë propozim.

“Danas” e vë në dyshim nëse lavdërimi i Vuçiqit që ia bën propozimit të ish-këshilltarit në kohën e luftës të Sllobodan Millosheviqit ishte cinik apo i sinqertë, mbetet të shihet. Por ky propozim, sikundër edhe ai për ndarjen e Kosovës, ose për vijën e ndarjes (në baza etnike), për çka angazhohet Ivica Daçiq, është i pranueshëm qoftë për Kosovën, ashtu edhe për Bashkimin Europian.

Beogradi përmend edhe modele të tjera, si ai i dy Gjermanive, ose i Hong Kongut duke u bërë se çështja e Kosovës është zgjidhur dhe se s’ka variant tjetër pos njohjes së pavarësisë së saj, ashtu siç kanë vepruar edhe mbi 115 shtete të tjera të botës, ndër to edhe ato më të fuqishmet ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht.