Një çift i të moshuarve është arrestuar nga policia pasi në çantat e tyre janë gjetur rreth 10 kilogramë kokainë. Çifti ishte duke u kthyer me anije nga Karaibet në Britani të Madhe. Policia portugeze ka deklaruar se i ka ndaluar dy persona të moshës 72 dhe 70-vjeçare në Lisbonë, pasi ishin informuar për personat e dyshimtë nga Agjencia Britanike e Krimeve.
Ata u arrestuan nën dyshimin për trafikim me substanca narkotike kur anija me të cilën po udhëtonin u ndal në kryeqytetin portugez. Pas kontrollimit të dhomës së tyre, policia gjeti rreth 10 kilogramë kokainë të cilësisë së lartë, e cila ishte e fshehur në katër çanta të ndryshme.
Të dyshuarit janë paraqitur para gjykatës, ndërsa hetimi po zhvillohet përmes një bashkëpunimi mes institucioneve portugeze dhe britanike. Anija ishte nisur nga Britania drejt Karaibeve më 5 nëntor dhe në të ndodheshin 610 udhëtarë dhe 294 anëtarë të ekuipazhit. Pas arrestimit të të dyshuarve, anija e vazhdoi lundrimin e saj të planifikuar dhe u kthye në Britani të Madhe më 8 dhjetor.
Një zëdhënës i kompanisë së udhëtimeve me anije “Cruise and Maritime Voyages” tha se anija e tyre është kontrolluar nga policia portugeze më 4 dhjetor. “Kompania jonë është duke bashkëpunuar në mënyrë të plotë me zyrtarët policorë të Portugalisë. Ne nuk i tolerojmë aktivitetet kriminale dhe sjelljet e këqija në anijen tonë”, tha zëdhënësi, shkruan “The Guardian”.