Aktuale

Chabert: Kosova dhe Serbia të arrijnë pajtim si dy shtete fqinje

Ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert, deklaroi sot se Serbia dhe Kosova duhet të bëjnë përpjekje për të arritur pajtim të plotë si dy shtete fqinje dhe të punojnë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët evropiane.

Ai këto komente i bëri me rastin e përkujtimit të viktimave dhe përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nga Ambasada Franceze dhe ajo gjermane në Kosovë, ku morën pjesë edhe ambasadori amerikan Greg Delawie dhe ai britanik në vendin tonë, Ruairi O’Connell.

Diplomati francez tha se Franca dhe Gjermania kanë gjetur rrugën e vëllazërimit dhe paqes, duke i mundësuar Evropës të ndërtojë një të ardhme të re, e cila nuk i harron vlerat universale të të drejtave të njeriut. Sipas Chabert, shembullin e Francës dhe të Gjermanisë duhet ta ndjekin edhe Kosova dhe Serbia me qëllim të krijimit të një pajtimi të plotë si dy shtet fqinje, që së bashku të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët evropiane. Ambasadori gjerman, Christian Heldt tha se sot jemi bashkuar për të vrarët e të gjitha luftërave veçanërisht të vrarëve në Luftën e Parë Botërore.

Sipas tij, tmerret e tri luftërave të zhvilluar vetëm brenda 75 vjetëve i kanë bashkuar francezet dhe gjermanët në një bashkësi të fatit si motor evropian, kështu duke e bërë të pa imagjinueshme ndonjë luftë në mes këtyre dy vendeve. Diplomati gjerman tha se lufta në Kosovë ishte angazhimi i tyre i parë i armatosur i ushtrisë gjermane përkrahë aleatëve të saj, dhe kështu si aleancë transatlantike i kthyen vendit tonë paqen dhe lirinë. Homazhe dhe kurora lulesh u vendosën tek pllaka përkujtimore e viktimave të rënë në Luftën e Parë Botërore në varrezat e ortodoksëve në Arbëri.
Kjo ditë kujtohet me rastin e nënshkrimit të armëpushimit në Compiegne, më 11 nëntor 1918, që i dha fund luftimeve të Luftës së Parë Botërore./KosovaPress/