Rajon & Botë

Me çfarë veture vozitet presidenti i ri francez

Presidentët francezë tradicionalisht voziten në automobila luksozë të prodhimit vendor.

Në inaugurimin e Emmanuel Macron për president të ri ai para-defiloi rrugëve të Parisit në crossover DS7 Crossback.

Presidentët francezë më shpesh voziten me automobila luksoz Citroen, në mesin e të cilëve më i njohuri është modeli DS, i cili më vonë u zëvendësua nga modelet Citroen SM, CX, XM dhe C6, derisa Francois Hollande ishte vozitur në versionin special Citroen DS5. Ndërkohë, marka premium DS është ndarë nga Citroen dhe tash vepron si brend i veçantë në kuadër të grupit PSA dhe automobili i presidentit Emmanuel Macron nuk ka më shenjën Citroen, por në pyetje është crossover më i ri i DS – DS7 Crossback.

Automobili me të cilin vozitet presidenti i Francës është i modifikuar në krahasim me versionin e mëhershëm dhe i ngjyrosur me të kaltër. DS7 Crossback ka mundësinë e hapjes së tavanit, derisa brendësia është e veshur me lëkurë të zezë, transmeton KosovaPress.

DS7 Crossback ka pasur premierën botërore në mars, në sallonin e veturave në Gjenevë. Bëhet fjalë për DS crossover-in e parë në tregun evropian.