Aktuale

Çfarë do të ndodhë sot në Kosovë?

Të hënën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do t’ia dorëzojë Flamurin e Kosovës në mënyrë solemne ekipit olimpik që përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”.

Më vonë, Presidenti, për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, do t’i drejtohet me një fjalë rasti, në Qeveri, kabinetit qeveritar të vendit.

Ndërkaq, gjatë ditës, Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë një mbledhje, ku pritet të diskutojë rreth Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në Kuvend do të ketë edhe zhvillime të tjera. Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, do të organizojë një tryezë, për të diskutuar rreth nismës ligjore për hartimin e Projektligjit për RTK-në.

Të hënën, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, do të mbajë një konferencë për media, për të folur për situatën e krijuar në segmentin rrugor Veternik Prishtinë, pas rrëshqitjeve që kanë ndodhur, si pasojë e vërshimeve në vend punishten e zgjerimit të kësaj rruge.

Ndër ngjarjet e tjera të ditës është edhe një tryezë shkencore, e organizuar nga Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit, për të shënuar Ditën Botërore të Kancerit.