Aktuale

Çfarë po ndodh me negociatat për drejtësinë?! Basha mbledh grupin, Lu me Metën

Përreth 100 minuta lideri i opozitës Lulzim Basha zhvilloi bisedime me kyeparlamentarin Ilir Meta dhe ambasadorët e SHBA dhe Be, Lu e Vlahutin.

Në përgjigje të ftesës së Metës për të rinisur negociatat për çështjet e fundit që po mbajnë pezull procesin e reformës në drejtësi, lideri demokrat ju bashkua takimit që Meta, kryediplomatët dhe negociatorët e LSI-së kishin nisur në kryesinë e Kuvendit.

Basha u largua i pari nga takimi pa dhënë asnjë prononcim për gazetarët, ndërsa la në bisedime palët e tjera.

Nuk dihet nëse në bisedime është folur për ndonjë propozim të ri të ambasadorëve në lidhje me kërkesën e PD-së për të zgjidhur me formulën e vettingut edhe për përzgjedhjen e anëtarëve në dy institucionet e reja që krijon kushtetuta e re, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Pasi është larguar nga zyra e Metës pa dhënë asnjë deklaratë për gazetarët, Basha i është drejtuar selisë blu aty ku ka thirrur një mbledhje urgjente të grupit parlamentar. Aty Basha do të bëjë të ditur se çfarë u diskutua në tryezën e negociatave e pritet që më tej PD të dalë me një qëndrim zyrtar.

Në takimin 4-palësh nuk ka qenë i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i cili refuzoi thirrjen e Metës duke qëndruan në sallën e Kuvendit, e më tej duke u larguar për në zyrën e tij /Gazeta Express/