Procesi i liberalizimit te vizave po ec mbrapsht edhe gjatë këtij viti, për shkak se kjo çështje nuk ështe futur as në agjendë të institucioneve të BE-së.
Kjo po ndodhë në një kohë kur Kosova nuk i ka të formuara institucionet e saj të reja, as 4 muaj pas zgjedhjeve, të mbajtura me 6 tetor.
Shkak për këtë janë bërë mosmarrëveshjet e dy fituesve të këtyre zgjedhjeve, liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
E vonesat në krijimin e institutcioneve nuk po shihen si problem në procesin e liberalizimit të vizave në të cilin aktualisht ndodhet Kosova.
Njohësi i Integrimeve Europiane, Demush Shasha, në një prononcim për portalin Front Online, arsyet e mos liberalizimit të vizave, i lidh me mungesën e rezultateve në fushën e sundimit të ligjit dhe me ngecjen e dialogut Kosovë – Serbi.
Qeveria e re, siç thotë ai, duhet t`i kryejë disa ‘detyra të shtëpisë’ pikërisht në këto dy fusha.
“Vetëm kështu mund të bindim vendet anëtare të BE-së se Kosova meriton liberalizimin e vizave dhe avancimin e rrugës së saj Evropiane dhe vetëm kështu mund të shpresojmë një vendimmarrje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave në 2020”, ka thënë ai.
Shasha përmend edhe një faktor tjerë, i cili sipas tij, po u pamundëson qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
“Mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave. Brenda BE-së janë disa vende të cilat për arsye të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këtu vende kyçe kundër janë Franca, Holanda dhe Danimarka”, ka pohuar Shasha.
Ndryshe, përgjatë gjithë vitit 2019, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, nuk i është ndarë urimeve për heqjen e vizave për kosovarët drejt Evropës, gjë e cila nuk ka ndodhur, raporton portali Front Online.
Nga 1 janari i këtij viti deri me 30 qershor Kroacia do e ketë Presidencën e Këshillit të BE-së. Në këtë funksion shteti kroat do të ketë rol kyç në përcaktimin e punës dhe agjendës së BE-së mes 28 vendeve anëtare.