Aktuale

Çfarë po ndodh me kolonat në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, flet Policia

Për më shumë se dy orë për çdo ditë, qytetarëve të cilët qarkullojnë me vetura në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, u duhet të presin në kolona të gjata.

Gjendje kaotike krijohet pas orës 16:00 të pasdites për çdo ditë në atë zonë. Zyrtarët policorë thonë se numri i madh i veturave që qarkullojnë në këto muaj të verës në atë pjesë ka bërë që të shtohen pritjet, por jo vetëm kjo.

Policia e Kosovës thotë se është në dijeni për këtë problematikë. Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, dha detaje për këto pritje.

Ai tregoi, po ashtu, se gjendja e rrugëve ka bërë që të krijojë kolona.

“Ne jemi në dijeni për pritjet e qytetarëve në atë zonë. Por gjendja e infrastrukturës rrugore ka bërë që të krijohen ato kolona. Po ashtu, rruga me katër korsi reduktohet në kilometrin e 10-të. Prej asaj pjese kolonat nisin të krijohen. Në kolona, po ashtu, po ndikon edhe numri i madh i automjeteve që qarkullojnë në këtë sezon në atë pjesë, pasi që dihet se fluksi është më i madh se muajt e tjerë”, thotë Zahiti për Express.

Ai ka thënë se policia për çdo ditë është me patrullime për atë kohë. Por gjendja dhe pritjet vështirë se do të mundë të rregullohen deri në zgjerimin e rrugës e cila ka nisur tash e disa muaj në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

Sido që të jetë ata që goditen më së shumti janë vetë qytetarët të cilët dërgojnë fotografi dhe video nga udhëtimi maratonik që di të zgjasë edhe deri në 2 orë e gjysmë deri në Mitrovicë nga kryeqyteti i Kosovës. /GazetaExpress/

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/cfare-po-ndodh-me-kolonat-ne-magjistralen-prishtine-mitrovice-flet-polica-563939/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright