Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar urdhëresën e re ekzekutive për ndalimin e ardhjes në SHBA të shtetasve nga gjashtë vende myslimane.
Në krahasim me urdhëresën e parë nga lista e të ndaluarve është hequr Iraku, ndërsa ekzistojnë edhe disa ndryshime të urdhrit të kaluar që shkaktoi kaos të plotë.
Urdhri i ri do të hyjë në fuqi në dhjetë ditët e ardhshme dhe jo menjëherë sikur që ndodhi me urdhrin e parë, i cili krijoi probleme për mijëra njerëz që kishin viza të rregullta amerikane.
Gjashtë nga shtatë shtetet në ndalesë janë sërish në listë: Irani, Somalia, Sudani, Siria, Jemeni dhe Libia pa Irakun, sipas dokumentit të cilin e ka publikuar Ministria për siguri të brendshme, transmeton Kosovapress.
Atyre u është vënë ndalesa e udhëtimit prej 90 ditësh.
“Mëshira për Irakun” është pasojë e përpjekjeve të Irakut që të vazhdojë luftën kundër Shtetit Islamik dhe që të bashkëpunojë lidhur me këtë me Uashingtonin.
Në urdhëresën e re nuk do të përfshihen personat që kanë kartën e gjelbër, po ashtu nuk përmendet as ndarja religjioze, derisa në urdhëresën e kaluar përmendej se përparësi në krahasim me të tjerët para ardhjes për në SHBA kanë të krishterët, transmeton KosovaPerss.