Aktuale

Çfarë ju duhet të dini për koronavirusin sot

Në orët e para të ditës së sotme u konfirmua edhe një rast me koronavirus, duke quar kështu në 16 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas mesnate bëri të ditur se në laboratorin e IKSHPK-së është konfirmuar edhe një rast pozitiv me COVID-19, një shtetase e Kosovës e cila të hënën ka arritur në Kosovë nga Londra.

Deri me tani në laboratorët e IKSHPK janë testuan 271 persona prej të cilëve kanë rezultuar 16 pozitiv në SARS CoV-2.

1o nga këto raste janë duke u trajtuar në Kliniken Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ndërsa gjashtë të tjera janë lëshuar në shtëpitë e tyre me udhëzimet e mjekëve.

Kështu ka bërë të ditur mëngjesin e sotëm, infektologu, Valbon Krasniqi.

Krasniqi ka bërë të ditur se vetëm 77-vjeçari nga Vitia i cili është i prekur me koronavirus kohë pas kohe ka nevojë për terapi me oksigjen.

Ndërkohë në Klinikën Infektive në këtë periudhë po shkojnë dhjetëra persona për kontroll, për shkak të shqetësimeve që kanë.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë lajmëruar 60 persona që kanë dyshuar se mund të jenë të prekur, por vetëm 12 prej tyre janë ndalur për t’u ekzaminuar ndërkohë që 48 të tjerë janë lëshuar në shtëpi.

Gjatë ditës, IKSHPK-ja ka bërë sërish apel tek qytetarët t’u përmbahen udhëzimeve të dhëna deri më tani, për kujdes ndaj virusit Covid-19

IKSHPK-ja ka apeluar që qytetarët ta mposhtin koronavirusin me kujdes e jo me frikë, raporton lajmi.net.

“Duke iu përmbajtur rekomandimeve të Institutit Kombëtar ju mund ta parandaloni sëmundjen! Pa shtrëngim duarsh, pa përqafime, qëndroni në distancë nga njëri-tjetri së paku 2 metra, lani duart sa më shpesh me ujë e sapun”, janë disa nga këshillat e dhënë nga IKSHPK-ja për qytetarët.

Në anën tjetër, Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike të Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari, ka nxjerrë tri urdhëresa për të trajtuar ankesat e qytetarëve dhe për të zbatuar vendimet e Qeverisë për emergjencën e shëndetit publik.

Urdhëresa për menaxhimin e çmimeve, për sigurimin e ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare gjatë emergjencës së shëndetit publik, si dhe për zbatimin e masave ndaj veprimtarive ekonomike lidhur me emergjencën e shëndetit publik.

Në Kosovë është shpallur gjendje emergjente në sektorin e shëndetësisë pas gjendjes së krijuar me Covid-19 ku numri i të infektuarve ka arritur në 16 persona.

Ndërkohë, të mërkurën e javë së kaluar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar masat e propozuara nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për mbrojtje nga kronavirusi. Një prej masave kryesore është ndërprerja e procesit mësimor deri më 27 mars si dhe pezullimi i fluturimeve.

the authorGazetaKNN