18 balona të bardhë me kërkesat e familjarëve të të pagjeturve për të ditur për më të dashurit e tyre, janë hedhur në ajër për nder të Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.
Ky ishte një aksion simbolik i Këshillit Organizativ për shënimin e 30 Gushtit, me ç’rast 18 balonat simbolizojnë moszbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të pagjetur edhe pas 18 viteve pas përfundimit të luftës.
Më pas është bërë edhe vendosja e luleve te përmendorja dedikuar personave të zhdukur që gjendet afër Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Shoqatës së të Pagjeturve, Prenk Gjetaj, është shprehur se tani për tani kategoria më e goditur janë familjet e personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa ka shtuar se mungesa e informacioneve po e shtyn zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Përmes mesazheve që do t’i hedhim në ajr përmes këtyre balonave kërkojmë që të njoftohet opinioni jonë që ende kjo plagë po na përcjellë pas 18 viteve, kështu që në mënyrë simbolike 18 balona do të hidhen në ajër me kërkesat e familjarëve për të ditur për më të dashurit e tyre… Apelojmë që të gjithë ata që posedojnë ndonjë informatë të ndihmojnë në sjelljen e informatave sepse mungesa e informatave është mungesë për të ditur për fatin e më të dashurve tanë”, tha Gjetaj.
Kryetari i shoqatës për të pagjeturit “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, Bajram Çerkini është shprehur i pakënaqur me numrin e familjarëve që kishin dalë në sheshin “Skënderbeu” për të kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve në Kosovë, ndërsa ka shprehur bindjen se krerët e shtetit do të mund të bënin më shumë në këtë drejtim.
“Punët kanë stagnuar. Puna nuk po shkon siç është planifikuar. Menjëherë bëhet pyetja se kush po pengon. Sikur të ishin më këmbëngulës krerët e Republikës të Kosovës të cilët e udhëheqin këtë Kosovë dhe na përfaqësojnë në çdo vend e në çdo diskutim që është, kishte me qenë puna më mirë… Ligji për të pagjeturit duhet të jetë prioritet. Nesër nëse formohet Qeveria, edhe hiq nëse nuk formohet, këta njerëz që po na udhëheqin duhet të respektojnë kërkesat e familjarëve”, u shpreh ai.
Lule tek përmendorja për personat e pagjetur ka vendosur edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj i shoqëruar nga kandidati për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, i cili tha se do të angazhohet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Ndërsa është shprehur se edhe zvarritja e themelimit të institucioneve të vendit po lë mangu edhe këtë temë, ashtu sikurse temat e tjera.
“Duhet të përballemi me të vërtetën. Pra, nuk duhet kjo temë të vazhdojë të mbes e tillë, pa epilog. Do të punoj në çfarëdo kapaciteti që me i dhënë epilog kësaj teme që të vërtetën me e ditë gjithë ne”, tha Haradinaj.
Pas vendosjes së luleve, familjarët e të zhdukurve kanë marshuar deri në sheshin Skënderbeu.
Në Kosovë vazhdojnë të jenë mbi 1600 persona të zhdukur nga lufta e fundit./KP