Aktuale

Çelaj kërkoi nga Prokuroria të nisë hetimet ndaj Ahmetit

“Shpend Ahmeti duhet të hetohet nga Prokuroria për shkelje të procedurave për kompleksin “Kodrina”. Kështu ka thënë asamblisti i PDK-së, Lirak Çelaj.

 

Çelaj, megjithëse, tha se e përkrah këtë projekt, hodhi dyshime se Ahmeti ka bërë vepër penale, duke nënshkruar memorandumin me kompaninë “Tregtia”, e cila bashkë me shumë pronarë të tjerë po kërkon të investojë në kompleksin “Kodrina”, raporton KTV.

Ahmetit, i cili nuk gjendej në sallë, në ato momente në krah i doli, asamblisti, Ylli Hoxha, i cili i mohoi pretendimet e Çelajt.

Ndërsa, vetë Shpend Ahmeti, kërkoi që ky projekt, i cili përfshin rreth 20 hektarë tokë, e që kap me vlerën e 100 milionë eurove, para dhënies së lejes, të kalojë në Kuvendin Komunal.

Megjithëkëtë, propozim-vendimi për fillimin e hartimit të planit rregullues të hollësishëm për kompleksin “Kodrina”, u miratua me shumicë votash.

Deri në miratim të plotë, ky projekt do të jetë pjesë e diskutimeve të kuvendit edhe disa herë të tjera.

Ndërsa, Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, derisa kërkoi sqarime nga Drejtoria e Pronës, tha se AKP-ja, e cila po ndërmerr aksione ndaj uzurpatorëve, bashkë me Kadri Veselin, është uzurpatore e pronës së komunës.

Ndryshe, si rrallëherë partitë politike në Kuvendin Komunal të Prishtinës, janë pajtuar për aprovim të pikave rendit të ditës.

Asamblistët e kryeqytetit, me gjithë mospajtimet dhe paqartësitë rreth planeve rregulluese dhe hartave zonale kanë miratuar rishqyrtimin e vendimeve për lënien në dispozicion për shqyrtim publik të propozim-planeve rregulluese të hollësishme për lagjet Kodra e Trimave 1, Mati 2 dhe Sofalia.

Plane këto, që më parë ishin kthyer nga Ministria e Mjedisit, me arsyetimin se janë të paligjshme.

Në diskutim publik është lënë edhe plani për lagjen “Kalabria”.