Aktuale

Çeku tregon sa ishte numri i pjesëtarëve të UÇK-së kur ishte shef i Shtabit (Video)

Sonte në emisionin “Komiteti Qendror”, drejtuar nga Berat Buzhala, Leonard Kerquki dhe Shpend Limoni, prodhim i Gazetës Express, që transmetohet në RTV Dukagjini, në vazhdimësi të intervistës biografike, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka folur për numrin e pjesëtarëve të UÇK’së gjatë kohës kur ai ishte shef i Shtabit.

Ai ka thënë se asnjëherë nuk është ditur numri i saktë i pjesëmarrësve të UÇK’së, për shkak të lëvizjeve të shpeshta të tyre.

“Nëse do të rreshtohej e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk do të ishte ky numër që ka dalë tani, por ushtria është organizim kompleks, e cila nuk përfshin vetëm ushtarë, por edhe kontribuuesit në financim, lobim, në politikë dhe shumë sfera të tjera,” ka thënë Çeku në “Komiteti Qendror”.

Çeku ka përmendur disa regjistrime, në të cilat ka rezultuar se UÇK ka pasur 27 mijë pjesëtarë, por, sipas Çekut, nëse përfshihen të gjithë ata që kanë kontribuar në një mënyrë apo tjetrën në luftën e UÇK’së, kjo shifër arrin deri në 50 mijë, që përfshin vetëm 2.5 për qind të popullsisë së Kosovës. /Express/