Rajon & Botë

Çekia shënon numrin më të vogël të rasteve të Covid-19 në gjashtë javët e fundit

Republika Çeke e ka raportuar numrin më të vogël të rasteve të reja të koronavirusit në më shumë se gjashtë javë në kohën kur ka filluar t’i largojë masat kufizuese.

Gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet u shënuan vetëm 41 raste të reja të Covid-19 dhe kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 7,449. Ndërkohë numri i të vdekurve është 223 persona, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shteti i Evropës Qendrore me një popullsi prej 10.7 milionë banorësh ka shënuar shumë më pak raste se fqinjët perëndimorë pasi mori masa të shpejta për mbylljen e shkollave dhe shumicës së dyqaneve si dhe kërkoi që të përdoren maskat në hapësira publike.

Rritja ditore e rasteve të koronavirusit ka qenë nën 100 që nga 22 prilli, ndërsa bizneset i kanë bërë trysni qeverisë për t’i larguar disa prej masave kufizuese, të cilat janë vendosur nga mesi i marsit.

Qeveria çeke është duke e planifikuar rihapjen e plotë të dyqaneve dhe restoranteve nga 25 maji. Kufizimet për tubime janë lehtësuar dhe njerëzit mund të mblidhen deri në 10 persona në një vend, kurse më parë ky numër ishte vetëm dy.

Edhe sektori i prodhimit të veturave ka filluar të kthehet në gjendjen normale, duke i dhënë krah ekonomisë që pritet të tkurret në masë të konsiderueshme gjatë këtij viti shkaku i pandemisë dhe masave të izolimit.

the authorGazetaKNN