Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë javë paralajmëroi se pandemia nuk është as afër fundit, por në Republikën Çeke është mbajtur një festë për t’i thënë lamtumirë koronavirusit.
Mijëra mysafirë u ulën në vargun e tavolinave që ishte rreth 500 metra i gjatë mbi urën Charles në Pragë, ku u shërbyen me ushqime dhe pije që i kishin sjellur nga shtëpia, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Nga mysafirët u kërkua që t’i ndanin ushqimet me fqinjtë dhe në tubim nuk kishte distancë sociale, diçka që mund t’i habisë njerëzit që jetojnë në vendet e izoluara nga virusi.

Deri më tani, shteti me mbi 10 milionë banorë i ka regjistruar më pak se 12,000 raste të koronavirusit dhe rreth 350 persona kanë vdekur.
Organizatori i kësaj feste tha se tubimi ishte i mundur për shkak të mungesës së turistëve në qytetin e famshëm për vizitorë.
Çekia ishte një ndër vendet e para që kishte marrë masa kufizuese për qarkullimin e njerëzve dhe ka arritur ta shmangë më të keqen e pandemisë. Restorantet dhe kafenetë në këtë shtet janë hapur para një muaji.