Rajon & Botë

CEDH dënon Rusinë për mangësi serioze në trajtimin e masakrës së Beslanit

Rusia ka treguar mangësi serioze në trajtimin e pengmarrjes së Beslanit në vitin 2004, ku humbën jetën 300 persona, theksoi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (CEDH).

“Autoritetet kanë dështuar në parandalimin e kësaj pengmarrjeje në një shkollë të Osetisë së Veriut nga një komando e rebelëve proçeçenë, kanë treguar mangësi serioze në përgatitje dhe kontrollin e operacionit të sigurisë dhe kanë bërë një përdorim disproporcional të forcës gjatë sulmit”, theksoi CEDH.

Më 1 shtator 2004, rebelët e armatosur që kërkonin fundin e luftës në Çeçemi morën peng rreth 1 200 persona në një shkollë të Osetisë së Veriut.

Më shumë se 330 civilë u vranë, 186 prej të cilëve fëmijë dhe rreth 750 të tjerë u plagosën gjatë sulmit të forcave ruse paraprirë nga dy shpërthime më 3 shtator 2004.

“Autoritetet dispononin informacione të mjaftueshme sipas të cilave një sulm terrorist kundër një shkolle ishte parashikuar në rajon”, theksoi gjykata.

“Për më tepër ata nuk kishin marrë masa të mjaftueshme për të penguar terroristët të takohen dhe të përgatisnin sulmin, as për t’i penguar të lëviznin ditën e sulmit. Siguria nuk ka qenë në nivele të larta në shkollë dhe as personeli dhe as publiku nuk janë lajmëruar për kërcënimin. Forcat e sigurisë kanë përdorur në shkollë përveç të tjerave armë të fuqishme si armë luftarake, granatahedhësa dhe flakëhedhësa duke shkaktuar gjithashtu viktima të tjera mes pengjeve”, sipas CEDH.