Bisedimet për të krijuar një koalicion të ri të madh mes konservatorëve të kancelares Angela Merkel dhe qendrës së majtë Partia Socialdemokrate (SPD) me shumë mundësi do të fillojnë vitin e ri, deklaroi për televizionin publik ARD zëvendëskryetarja e CDU-së, Julia Kloeckner.
Në ditët e fundit SPD-ja rishikoi vendimin e saj për të qenë në opozitë pasi morri rezultatin më të dobët ndonjëherë në zgjedhjet e shtatorit.
Lideri i SPD-së, Martin Schulz tha se “ishte i hapur për bisedime pasi negociatat mes konservatorëve të Merkelit, të Gjelbërve dhe Liberalëve dështuan 10 ditë më parë”.
Kloeckner tha se “kjo kthesë e socialdemokratëve do të diskutohet në konferencën e SPD-së për dy javë, që do të thotë se bisedimet për koalicion nuk mund të fillojnë deri në vitin e ri”.
Madje, presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier do të takohet me liderët e partisë së Gjelbër, Katrin Goering Eckardt dhe Anton Hofreiter, si dhe krerët e Partisë së Majtë, Sahra Wagenknecht dhe Dietmar Bartsch, për t’i hapur rrugën bisedimeve të reja.