Vëzhgues të zhvillimeve politike në vend, duke e komentuar deklaratën e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Shukri Buja, në të cilën e ka shprehur vullnetin e partisë së tij për koalicion pas zgjedhor me partitë opozitare, vlerësuan se një gjë e tillë edhe mund të ndodh, pasi që sipas tyre çdo parti e ka për synim arritjen në pushtet.
Analisti politik Faik Krasniqi në një prononcim dhënë Gazetës Blic cilësoi se çdo koalicion është i mundshëm në vend.
“Tek e fundit çdo parti e synon pushtetin. Prandaj, nuk bën të çuditemi që nesër të kemi koalicione edhe mes partive që e kanë akuzuar rëndë njëra-tjetrën, madje edhe për vrasje me motive politike, siç kemi sot koalicionin mes dy partive të ”urryera”, PDK-së dhe LDK-së”, tha ai.
Por, sipas këtij analisti zgjedhjet në vend nuk mund të ndodhin pa u bërë shënjimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi si dhe arrestimi i figurave të “profilit të lartë”, siç i quan ai, raporton GazetaBlic.com
“Arrestimin e figurave të profilit të lartë dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Dhe pasi të kryhen këto dy kushte të vendosura nga BE-ja, e qytetarët e Kosovës fillojnë të lëvizin lirshëm nëpër zonën Schengen, atëherë do të jepet drita e gjelbër për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Krasniqi.
Duke e vlerësuar si të nevojshëm një koalicion mes partive opozitare dhe shoqërisë civile, me kusht që të rrëzohen partitë në pozitë, Krasniqi veçoi se më nuk do të këtë koalicion mes PDK-së dhe LDK-së.
“Më nuk do të kemi koalicion PDK-LDK. Mirëpo do të ishte mirë që para zgjedhjeve të krijohet një koalicion i fortë opozitar, me gjitha partitë opozitare dhe shoqërinë civile, në mënyrë që të përmbysen dy partitë në pushtet, e sidomos PDK-ja që është ALFA dhe OMEGA e krimit ekonomik dhe politik në Kosovë. Por nëse pas zgjedhjeve ndonjëra nga partitë i bashkohet PDK-së, do të kemi vetëm vazhdimësi të mafias ”PRONTO””, tha ai.
Në anën tjetër analisti politik Krenar Shala, tha se opozita duhet të bashkëpunoi me pozitën, në mënyrë që të bëhen ndryshime në dobi të vendit.
“Shpresoj që Opozita do të thërras arsyes për të bashkëpunuar në mënyrë që qytetarët të kenë mundësinë për të ndryshuar fatin e shtetit”. /Gazetablic.com