Aktuale

Çaushi: Deklaratat e Edita Tahirit për të pagjeturit, skandaloze

Nënkryetari Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka reaguar lidhur me deklaratat e ministres pa portofol në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahirit.

Ai ka shkruar se deklaratat e Tahirit lidhur me të pagjeturit janë skandaloze.

Lexoni të plotë postimin e Çaushit:

Edita Tahiri sot ka lëshuar deklaratë skandaloze lidhur me të pagjeturit.

Ajo pa fijen e turpit ka ofenduar rëndë familjarët e të pagjeturve duke mashtruar hapur se Kosova nuk i ka listat e personave të zhdukur në luftë dhe se kjo është arsyeja që kjo çështje ka mbetur pa u trajtuar në negociatat me Serbinë.

Si pikë e parë, zyrtarët qeveritarë gjithmonë kanë deklaruar se problemi i të pagjeturëve është preokupim i tyre dhe se do ta adresojnë në negociata. Me deklaratën e Tahirit sot po e kuptojmë që për këtë çështje është diskutuar vetëm njëherë në negociata dhe atë në vitin 2011.

Së dyti, nuk është e vërtetë që Kosova nuk i ka listat me emrat e personave te pagjetur. Janë 1650 persona të pagjetur, shifër e cila është konfirmuar nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Ne nuk mund dhe nuk duhet të besojmë që me Edita Tahirin dhe sojin e saj mund të ketë negociata parimore me Serbinë, përderisa këta qeveritarë tallen edhe me të pagjeturit.