Aktuale

Caktohet dita kur do të shpërbëhet Kuvendi

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës kanë vendosur datën se kur do të mbahet seanca parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit.

Burimet e Agjencisë së Lajmeve FaktePlus brenda mbledhjes thonë se është arritur pajtueshmëri që mbledhja për shpërndarjen të mbahet më 22 gusht të këtij viti.

“Mbledhja do të mbahet më 22 gusht në ora 10:00. PDK tashmë ka nisur të mbledh nënshkrimet për caktimin e kësaj seance”.

Ishte kryekuvendari Kadri Veseli ka qenë ai që ka ftuar mbledhjen e Kryesisë, pasi refuzoi thirrjen e presidentit Hashim Thaçi për të caktuar një mandatar të ri për kryeministër pas dorëheqjes së Haradinajt.

“Kjo mbledhje ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi Veseli.

Sipas tij, shteti nuk guxon të mbetet në vakum institucional dhe pa vendimmarrje legjitime.

Kujtojmë se të premten presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare, ka kërkuar nga bartësi i koalicionit fitues (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate ), i zgjedhjeve të fundit, Kadri Veseli, që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në letrën e presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhej se si “koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”./FaktePlus