Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka ka vlerësuar lart ndihmën që Komisioni Evropian ka dhënë në sektorin e arsimit, ndërkaq ka bërë të ditur se është duke u bërë vlerësimi i gjendjes së përgjithshme në arsim, në mënyrë që të ndërmerren hapa të sigurt për ndryshime.
Ai gjatë një takimi me një delegacion të Komisionit Evropian, të kryesuar nga Mary Teresa Moran, zëvendës udhëheqëse e Njësitit për Kosovë në Drejtorinë e Përgjithshme të KE për Fqinjësi Evropiane dhe Zgjerim, tha se MASHT ka për prioritet përmirësimin e cilësisë, duke filluar nga arsimi parauniversitar, si pikë kyçe në këtë drejtim.
“Me seriozitet të lartë jemi duke vlerësuar gjendjen në arsim në Kosovë”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ai po ashtu ka folur në detaje për hapat që MAShT do të ndërmarrë për përmirësimin e kualitetit në arsim, duke përmendur profilizimin e mësuesve nga klasa e parë deri në klasën e pestë, orientimin e nxënësve të shkollave të mesme të ulëta në bazë të rezultateve që arrijnë gjatë shkollimit, harmonizimin e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës, ndërkaq ka ritheksuar se pikë kyçe e qeverisjes është aplikimi i mësimit tërëditor.
Ndërsa, përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Mary Teresa Moran, ka falënderuar ministrin Bytyqi për pritjen ku u bisedua për arritjet e deritanishme dhe orientimin e politikave arsimore në të ardhmen, duke ditur, se arsimi është në qendër të angazhimeve të Bashkimit Evropian.