Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi dhe gjyqtarët mbikëqyrës të departamenteve të Gjykatës, sot kanë pritur në një takim gjyqtarët dhe stafin administrativ të komunitetit serb.
Kryetarja e Gjykatës, fillimisht iu uroj mirëseardhje dhe suksese në punën e tyre si gjyqtarë dhe kërkojë përkushtim dhe angazhim të madh nga ana e tyre, në mënyrë që të arrihen rezultate dhe suksese në punë.
Sipas një komunikate të Gjykatës Themelore, gjyqtarët dhe stafi administrativ u njoftuan në përgjithësi me strukturën organizative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe me rolin e departamenteve brenda Gjykatës.
“Gjatë takimit është diskutuar për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar Gjykata, me numër të vogël të gjyqtarëve dhe rritje të madhe të numrit të lëndëve të arritura në Gjykatë, sidomos në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale dhe Divizioni për Çështje Civile”, thuhet në komunikatë.
Në fund, kryetarja e Gjykatës dhe gjyqtarët mbikëqyrës të departamenteve të Gjykatës, premtuan se në të ardhmen do të ketë bashkëpunim profesional, përkrahje dhe mbështetje nga ana e tyre, duke shpresuar se me emërimin e tyre, Gjykata do të rris edhe më shumë efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve.
Përndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë emëruar 4 gjyqtarë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan është emëruar 1 gjyqtarë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë janë emëruar 2 gjyqtarë.
Dekretimi i shtatë gjyqtarëve dhe angazhimi gjashtë zyrtarëve administrativ është paraparë me Marrëveshjen për Drejtësi të arritur në Bruksel në vitin 2015.
Gjyqtarët janë dekretuar me dt. 24 tetor 2107 nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi./KosovaPress/