Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati theksoi sot se roli i Tiranës nuk lidhet në asnjë rast me skenarët e mundshëm për krijimin e qeverisë në Maqedoni.
“Për herë të parë që nga Marrëveshja e Ohrit, partitë parlamentare shqiptare dalin mbi dasitë e tyre ideologjike dhe bien dakord për një listë çështjesh, të cilat natyrisht do duhet të detajohen për të rishikuar më pas edhe mënyrën sesi ato do të zbatohen në praktikë”, shprehet ministri i Jashtëm në një intervistë për Top Channel.
“Në këndvështrimin tonë, partitë shqiptare në Maqedoni kanë rënë dakord për të mbështetur njëra-tjetrën për sa i përket zbatimit të këtyre çështjeve, apo mënyrës sesi do të zbatohen ato, por nuk kanë rënë dakord për t’u bërë bashkë në një parti”, thekson Bushati.
Ai pohon se Tirana do të vijojë të mbështesë çdo proces që siguron demokraci dhe stabilitet në Maqedoni dhe nënvizon se Shqipëria nuk ka ndërhyrë aspak në punët e brendshme të shtetit fqinj e mbi të gjitha nuk ka asnjë interes për koalicionet.