Gjatë vizitës së tij zyrtare në Ankara, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati fillimisht pati një takim me homologun e tij, Mevlut Cavushoglu, ku mësohet se Turqia është shprehur e gatshme që të rrisë kontributin dhe asistencën në turizëm, energji, mbrojtje, siguri apo edhe bashkëpunim policor, por me një kusht hetimin e investimeve të Fethullah Gulenit në Shqipëri.
Më pas Ministri Bushati u prit edhe nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan gjatë mbrëmjes së djeshme.
“Takim i përzemërt me Presidentin Recep Tayyip Erdoğan.
Diskutim i frytshëm mbi hapat konkrete për thellimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke në fusha me interes të ndërsjellë, sikundër angazhim për konsolidimin e partneritetit strategjik.
Për ne Turqia është vend mik, partner strategjik në rajon dhe aleat i çmuar në NATO”, shkruan Bushati.
Ndërsa në asnjë rast nuk përmendet nëse nga ana e Turqisë janë vendosur kushte për të vijuar me investimet në Shqipëeri. Edhe nëse si në rastin e takimit me homologun Cavushoglu, Presidenti Erdogan ka kërkuar një investigim të investimeve të Gulenit.

“Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shprehën vlerësim për punën e kryer drejt thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe vlerësuan angazhimin mbi punën e nisur për konsolidimin e partneritetit strategjik. Palët vlerësuan rëndësinë e veçantë të marrëdhënieve dypalëshe si dy vende mike, partnere strategjike në rajon dhe aleate në NATO.
Ministri Bushati dhe Presidenti Erdoğan evidentuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës, energjisë, bujqësisë dhe turizmit, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe forcimin e bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Presidenti Erdoğan shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Turqisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe nëpërmjet projekteve konkrete, në kuadër të angazhimeve të Turqisë në rajon.
Ministri Bushati dhe Presidenti Erdoğan diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet më të fundit në vendet respektive dhe situatën në rajon. Ministri Bushati shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë me popullin dhe qeverinë turke për angazhimin në vendosjen e rendit kushtetues në vend.
Ministri Bushati shprehu interesin e qeverisë shqiptare për vijimin e trendit pozitiv të shtimit të investimeve turke në vendin tonë dhe siguroi se Shqipëria ofron një klimë të sigurt për nxitjen e investimeve turke, nëpërmjet një kuadri ligjor të kompletuar që garanton mbarëvajtjen e tyre. Në takim u bisedua gjithashtu mbi rolin, kontributin dhe nevojat e komunitetit shqiptar në Turqi, atij të hershëm por edhe të ri, si dëshmi e lidhjes tradicionale mes dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme.